Ekspertët mjekësor të Britanisë së Madhe shpallën rezultatet e hulumtimit të aplikimit të dexamethason-it në trajtimin e pacientëve të me Covid-19, sipas të cilit ky medikament në doza të vogla e përshpejton shërimin dhe ulë dukshëm vdekshmërinë e pacientëve me Covid-19.
Shkruan: Arsim Kastrati
Ky studim e vërteton edhe një herë faktin shkencorë të dobishmërisë së terapisë anti inflamatore me kortikosteroide, një përfaqësues i të cilëve është deksametazoni.
Edhe mjekësia si shumë fushëveprime të tjera njerëzore, vuan nga subjekte të cilëve u mungojnë ose dijet ose përvoja, e të cilët me reagimet klishe të tyre shkaktojnë konfuzione në punën e profesionistëve shëndetësor.
Literatura shkencore por edhe praktika mjekësore rekomandojnë përdorimin racional (në kohë sa më të shkurtër dhe në doza sa më të vogla të mundshme) të kortikosteroideve në sëmundje të ndryshme që karakterizohen me procese inflamatore.
Përvoja mjekësore personale dhe besoj e shumë kolegëve të tjerë kosovar, ka dhënë dhe vazhdon të jep argumente përkrahëse ndaj këtij publikimi mjekësor profesional nga Mbretëria e Bashkuar, argumente që thjeshtë aprovojnë përdorimin racional të deksametazonit (e pse jo edhe të prednizolonit) në kuadrin e terapisë anti gripoze.
Kjo në asnjë mënyrë nuk e zbehë rëndësinë e masave parandaluese si bartjes së maskave, mbajtjes së distancës sociale dhe larjës së duarve të cilat paraqesin veprimet më të rëndësishme në drejtim të eliminimit të kësaj pandemie.
Çdo bari është edhe helm, si shpata me dy tehe, por kur ordinohet nga profesionisti me dije dhe përvojë, jep efektet pozitive në maksimum, ndërsa efektet negative në minimum.
Kortikosteroidet nëse përdoren për kohë të gjatë dhe në doza të larta shkaktojnë çrregullime shëndetësore si: hiperglikemi, osteoporozë, kushing sidromën, hipertension, ulqerën gastrike, ndalesë të rritjës tek fëmijët etj, por përdorimi arsyeshëm i tyre, në shumë sëmundje, është pjesë e pazëvendësueshme e trajtimit adekuat mjekësor.
Ndoshta kortikosteroidet tek ne përdoren më tepër se sa duhet e ndoshta kësaj praktike në këto ditë pandemie, edhe mund t’ia kemi pa hajrin?!
E mjekësia jonë ka nevojë jetike për një terapi që konsiston në funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor (SISH), i cili do ta dokumentonte dhe vlerësonte në kohë dhe në hapësirë, të gjithë veprimtarinë mjekësore në vendin tonë./2LONLINE.com/