(2LONLINE) – Këshilltarja komunale Mizafere Ismajli ka braktisur AKR-në për të kaluar në LDK, subjekt që i ka fituar zgjedhjet në Gjilan e që tani do ti ketë 12 këshilltarë, ndërkohë që AKR ka mbetet e përfaqësuar tani me të vetmin këshilltarë Arben Maliqi,
Ismajli ka thënë se po e braktis AKR-në për shkak të zhvillimeve të fundit në atë parti, e me të cilat ajo nuk ishte e kënaqur. Ajo nuk precizoi se cilat janë ato zhvillime por vetëm u shpreh e pakënaqur me AKR-në dhe tha se tani po i bashkohet një subjekti politik që e themeloi presidenti historik Ibrahim Rugova me të cilin krenohen të gjithë shqiptarët
“Po i bashkohem po ashtu vizionit të kryetarit Lutfi Haziri, i cili edhe me volta e dëshmoi se punoi dhe veproi për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha Ismajli.
Mirëseardhje në LDK asaj i dëshiroi Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së i cili tha se me aderimin e saj, Ismajli do ta pasurojë edhe më tutje koloritin e përbërjes së LDK-së në Kuvend e në përgjithësi LDK-së në Gjilan.
Aliu tha se e çmojnë punën e deritanishme të saj pasi njihet si punëtore e madhe e në veçanti dallohet me punën që ka bërë në Grupin Joformal të Grave në avancimin e barazisë gjinore.
Ai shtoi se Ismajli do ta ketë fushëveprimin e duhur në LDK për të vazhduar rrugëtimin së bashku, derisa edhe zëdhënësja e LDK-së Saranda Bllaca tha se kjo dëshmon se LDK vazhdimesh po rritet dhe si në nivelin lokal ashtu edhe nacional nuk ka kush e ndal. /2lonline/