Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka vizituar sot qendrën e vaksinimit në Viti, ku nga afër është njoftuar me punën që po e bëjnë ekipet shëndetësore në vaksinimin e qytetarëve kundër virusit Covid-19.
Ndonëse procesi po ecën mbarë ai është njoftuar nga ekipet shëndetësore që herë pas here po kanë probleme teknike me rrjetin qeveritar dhe për këtë po ndodhin nganjëherë edhe pengese teknike.
Megjithatë kryetari Haliti, ka ndarë edhe një mirënjohje për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, të cilën e pranoi drejtoresha e qendrës, Dr. Vjollca Kadolli-Halili.
Kjo mirënjohje ju është ndarë atyre për punën që po e bëjnë stafi shëndetësor në qendrën e vaksinimit në qytetin e Vitisë.
“Sot dua të ju falënderoj secilin prej jush që jeni të angazhuar në procesin e vaksinimit të qytetarëve tanë kundër virusit pandemik Covid-19. E dijë që këto ditë jeni të ngarkuar me punë pasi që fluksi i qytetarëve që dëshirojnë të marrin vaksinën është e madhe por po e shoh se këtë punë e bëni me vullnet dhe përkushtim të lartë, prandaj përmes kësaj mirënjohje dua të ju falënderoj të gjithë juve që jeni të angazhuar në luftën kundër përhapjes së virusit korona”, u shpreh kryetari Haliti.
Ai gjithashtu ju bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e ekspertëve dhe të marrin vaksinën.
Përndryshe në vizitën ishin edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës në Viti në krye me komandantin e këtij stacioni, Kapiten Afrim Halili. /2LONLINE.com/