(2LONLINE) – Drejtoria për Shërbime Publike ka nisur mbylljen e gropave të hapura gjatë kohës së dimrit e deri më tani. Puna në këtë projekt bëhet me fleksibilitet dhe shpejtësi maksimale ku brenda dy ditëve të punës në këtë projekt janë mbyllur një pjesë shumë e madhe e gropave.
Drejtori i kësaj drejtorie, Sokol Haziri, ka thënë se në projektin e mirëmbajtjes verore kanë nisur të punojnë dy ditë më parë dhe janë të vendosur që të mbyllen gropat nga zona urbane e tutje, para sezonit të verës kur fluksi i qytetarëve dhe i veturave që qarkullojnë shënon një rritje për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve tanë nga diaspora.
“Ky projekt ka nisur dy ditë më parë dhe jemi të vendosur t’i mbyllim të gjitha gropat e hapura gjatë kohës së dimrit dhe muajve paraprak. Kemi nis mbylljen e gropave nga zona urbane – qendra e qytetit dhe do të shkojmë edhe nëpër fshatra, gjithkund ku është e nevojshme dhe në kompetencën tonë. Brenda ditës bëhet mbyllja e gropave. Projekti është paraparë të kushtoj rreth 130 mijë euro, por është mirë që ne do të paguajmë vetëm për punët që kryhen në terren. Është mirë që kjo po bëhet para ardhjes së bashkatdhetarëve tanë nga diaspora kur edhe rritet numri i veturave në Komunikacion. Tani kjo punë është duke u kryer në kohën e duhur dhe pa krijuar tollovi në komunikacion”, ka thënë Haziri, duke shtuar se punët që janë duke u bërë nga kjo drejtori edhe janë duke u mbikëqyrur me kujdes dhe profesionalizëm nga zyrtarët e drejtorisë. /2lonline/