Qendra e Numërimit të votave i rekomandoi, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rinumërimin e votave në 62 vendvotime. Drejtori i QNR-së, Burim Ahmetaj tha se këto vendvotime konsiderohen si jo të rregullta për shkak të ngatërrimit të formularëve dhe rubrikave në fletëvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që për 62 vendvotime të bëhet rinumërimi i votave. Koordinatori i Qendrës, Burim Ahmetaj tha se për shkak të ngatërrimit të rubrikave ato fletëvotime nuk mund të pranohen si të rregullta dhe nevojitet një hetim shtesë, transmeton RTK.
“Gjatë hetimeve të bëra në karantinë shihet se ka mospërputhje të numrit të fletëvotimeve të pranuara të përdorura dhe të papërdorura. Po ashtu në disa raste shihet se shiritat e thasëve të fletëvotimeve kanë munguar ose nuk janë shënuar në formularët e rezultateve”.
Ahmetaj tha se gabime në fletëvotime ka pasur për kandidatët për kryetar komune, por edhe për kuvende komunale. Sipas tij, gjatë pranimit të materialeve nga 8 vendvotime mungon lista përfundimtare e votuesve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se këto vendvotime do të përjashtohen në rast se nuk gjenden listat përfundimtare.
Ndërsa Burim Ahmetaj tha se edhe në disa votime me kusht dhe ato të personave me nevoja të vecanta, ka pasur parregullësi. Prandaj ai kërkoi që të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar. Për këto raste KQZ kërkoi hetime të mëtejme.