Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Projektligji adreson rregullimin e sistemit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në territorin e Republikës së Kosovës, sistem i cili përfshinë aplikimin e tatimit të përgjithshëm në konsum për mallra dhe shërbime. Projektligji vlerësohet si pjesa më e rëndësishme e reformës fiskale të Qeverisë dhe ofron lehtësi dhe lirime që do të ndihmojnë zhvillimin e biznesit në vend.
TVSH është e përshkallëzuar në dy norma, atë standarde prej 18% dhe normën e reduktuar prej 8%, të vlerës së furnizimeve të importuara dhe furnizimeve të brendshme të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të liruara dhe furnizimeve të trajtuara si eksporte. TVSH-ja llogaritet në çmim sipas normës së aplikueshme, ngarkohet në mallra dhe shërbime, e që bartet nga konsumatori i fundit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për kursimin, ndarjen dhe transferime buxhetore të organizatave, në pajtim me nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e vitit 2018. Me këtë vendim operacionalizohen shpenzimet buxhetore për vitin 2018 duke bërë të mundshëm realizimin dhe implementimin e politikave qeveritare gjatë këtij viti.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për miratimin e nismës të Ministrisë së Financave për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për financim e “Projektit për patundshmëri dhe infrastrukturë gjeohapësinore”. Marrëveshja siguron një kredi të favorshme në vlerë 16,5 milionë dollarë dhe do të shërbejë në implementimin e këtij projekti.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarje të mjeteve financiare për Trupin Koordinues të lobimit për anëtarësimin e Kosovës në INTRPOL.