Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në edicionin e 4-të të Samitit Dixhital, i cili organizohet në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC), e që këtë vit është mbajtur në Podgoricë.
Ministrja Rizvanolli ka marrë pjesë në Mëngjesin Ministror, i cili ka bashkuar ministrat përkatës të rajonit për fushën e TIK-ut dhe Dixhitalizimit me përfaqësues të bizneseve dhe organizatave joqeveritare të fushës, për t’u ofruar një platformë për shkëmbim të ideve dhe nevojave për bashkëpunim më të ngushtë.
Ministrja Rizvanolli po ashtu ka marrë pjesë edhe në panelin e nivelit të lartë bashkë me ministrat tjerë përkatës të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar rreth prioriteteve që secili nga gjashtë shtetet ka për fushën e dixhitalizimit.
Gjatë panelit, Ministrja Rizvanolli ka ndarë prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat shtrihen rreth blloqeve të ndërtimit të qeverisjes elektronike (përfshirë pagesat elektronike), zgjerimit të shërbimeve elektronike të qeverisë për qytetarët dhe bizneset, trajnimi i profesionistëve të fushës së TIK-ut, dixhitalizimit të sistemeve arsimore etj.
Gjatë Samitit, Ministrja Rizvanolli ka njoftuar se Republika e Kosovës do të jetë vendi nikoqir i Samitit të 5-të Dixhital, i cili do të mbahet në Prishtinë gjatë vitit 2022. /2LONLINE.com/