Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë përuruar sot në Gjilan, projektin e renovimit të Qendrës për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve ‘Liria’, e cila funksionon prej 23 vitesh dhe ku deri tani kanë gjetur strehim mijëra viktima të dhunës në familje.
Ministrja Haxhiu e ka përgëzuar stafin e kësaj Qendre për punën që ka bërë deri tani, duke qenë gjithmonë një derë e hapur për gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët detyrohen të lëshojnë shtëpitë e tyre për shkak të dhunës në familje.
‘Më lejoni që përulësisht t`ju falënderoj për këtë mund të madh, për këtë punë fisnike dhe shumë të rëndësishme’, ka thënë ministrja Haxhiu duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që të adresojë secilën sfidë me të cilën ballafaqohen strehimoret.
Haxhiu ka thënë se disa prej këtyre strehimoreve kanë qenë në prag të mbylljes për mungesë buxheti, ndërkohë që tani mbështetja për strehimoret është prioritet i qeverisë së Kosovës.
‘Është hera e parë që këtë problem e kemi eliminuar dhe kjo është një pasqyrë që qeveria jonë do të adresojë sfidat me të cilat ballafaqohen këto strehimore. Qëllimi është që strehimoret sivjet të mbështeten më me shumë buxhet se viteve të kaluara për shkak të punës së madhe që bëjnë’, ka thënë ajo.
Për më tepër, sa i përket dhunës në familje, Haxhiu tha se për shkak të mentalitetit patriarkal, shifrat e dhunës në familje ende janë të larta, alarmuese.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se sot, për nder të 8 marsit, kemi përuruar skulpturën monumentale ‘Heroinat e qytetit’ që nuk ka të bëjnë vetëm me luftën, por edhe me kontributin dhe vlerat që një grua i përfaqëson në përgjithësi.
‘Për mua si kryetar Komune mbetet prioritet përmbushja e obligimeve që kemi ndaj Qendrës, por edhe të kemi një bashkëpunim të afërt me qëllim që të parandalojmë sa më shumë raste të dhunës e të kemi sa më pak raste”, ka thënë kryetari Hyseni, duke shtuar se edhe investimet që përuruam sot janë bërë me qëllim që të krijohen kushte sa më të mira për punë në këtë strehimore.
Për punën e Qendrës së Gruas ‘Liria’ në Gjilan, ka folur drejtoresha Nazife Jonuzi, kurse Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punës Sociale, ka folur për bashkëpunimin me strehimoren ‘Liria’. /2LONLINE/