Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka mbledhur Grupin Ndërministror Kundër Dhunës në Familje, ku kanë diskutuar për gjetjet dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, për rastin e dhunimit të 11 vjeçares, po ashtu për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e të ndjerës S.M, si dhe raportin 1 vjeçar të zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026.
Ministrja Haxhiu, në fjalën e saj hyrëse, përmendi gjetjet dhe rekomandimet e IAP për institucionet përgjegjëse dhe theksoi se raportet e Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e dala, duhet t’i trajtojmë me prioritet dhe seriozitet.
Lidhur me zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të IAP, anëtarët e Grupit ndërministror u pajtuan që secili institucion veç e veç t’i trajtojë gjetjet dhe të ndërmarrë veprimet në përputhje me përgjegjësitë dhe nëse vërtetohen mosveprime apo neglizhenca të veprohet sipas legjislacionit.
Sa i përket rastit të të ndjerës Sebahate Morina, ministrja Haxhiu theksoi se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhet adresuar nga policia dhe sistemi i drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, u prezantua edhe Raporti i monitorimit 1 vjeçar të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026, me çrast u ritheksua përgjegjësia e institucioneve për përmbushjen obligimeve që burojnë nga Strategjia. /2LONLINE/