/2L ONLINE/ – Në vazhdën e vizitave që zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës po i bëjnë komunave të ndryshme, sot në Viti kanë qëndruar ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, si dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hoti.
Ata i ka pritur kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili fillimisht i njoftoi me zhvillimet aktuale në komunë, me theks të veçantë për ato që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe financat publike.
“Ne si komunë jemi të nderuar që në vazhdimësi po kemi përkrahjen e Qeverisë së Kosovës , pasi fal kësaj përkrahje dhe angazhimit permanent të administratës komunale, deri më tani kemi realizuar me qindra projekte që janë në interes të qytetarëve dhe që i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të komunës”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai më ketë rast ka kërkuar nga drejtuesit e dy ministrive, që të vazhdojnë me përkrahjen e projekteve për investime kapitale në komunën e Vitisë dhe ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, e që ndihmojnë në zbutjen e papunësisë në këtë komunë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami , ka potencuar angazhimet e qeverisë për përmirësimin ambientit të e biznesit në komunë. Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës rëndësi të veçantë i ka dhënë zhvillimit ekonomik dhe realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Vitia si komunë, në saje të qeverisjes së suksesshme të kryetarit Haliti, ka nisur të tërheq investitor të cilët janë të interesuar që të investojnë në këtë komunë, si në hapjen e fabrikave të reja, ashtu edhe në zgjerimin e kapaciteteve të atyre fabrikave që tani më janë funksionale”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë gjithashtu se shembulli më i mirë për këtë është interesimi i kompanisë gjermane Venger, pastaj zgjerimi i kapaciteteve prodhuese të kompanisë “Fisi” etj.
Kurse ministri i Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hoti ka thënë se ministria që udhëheq ai, përkundër kufizimeve buxhetore, është duke bërë maksimumin që të plotësoj kërkesat e komunave për një buxhet stabil i cili garanton realizim të projekteve me interes për qytetarët.
Ministri Hoti me këtë rast ka premtuar për përkrahjen e projekteve në 3 vitet e ardhshme që kanë të bëjnë me infrastrukturë, arsimin dhe në projekte për trajtimin e ujërave të zeza.
Ai ka theksuar gjithashtu se kjo ministri, në kuadër të kompetencave që ka, do të mbështesë iniciativat që vijnë nga komuna e Vitisë që kësaj komune ti mundësohet realizimi i më shumë projekteve se deri më tani.
Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës të shoqëruar edhe nga kryetari Haliti, kanë vizituar edhe repartet e fabrikës për prodhimin e rrjetave të Siroporit dhe atyre për fasada “Euro Fisi” në Radivojc, ku nga afër janë njoftuar me procesin e punës së kësaj fabrike.
Gjithashtu kanë vizituar edhe vendin ku do të ndërtohet Zona ekonomike në udhëkryqin që lidh fshatrat Budrikë, Radivojc e Skifteraj. Po ashtu ata kanë vizituar edhe Zyrën për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Viti, ku për së afërmi u njohën me punën e kësaj zyre./2L ONLINE/