Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në takim Deputetin republikan të Luginës së Preshevës, Riza Halimi dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Galip Beqiri.
Ministria e Shëndetësisë ka ndarë mjete në vlerë prej njëqind mijë eurove për shkollimin specialistik të 18 kandidatëve nga Lugina e Preshevës në degën e Mjekësisë dhe të Stomatologjisë.
Delegacioni nga Lugina e njoftoi Ministrin Agani me vështirësitë e banorëve të komunave shqiptare në Luginë, problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen kandidatët e këtyre komunave, të cilët duan të ndjekin shkollim specialistik dhe programe të edukimit të vazhduar profesional, transmeton rtk.
Gjatë bisedës u theksua edhe nevoja e senisibilizmit edhe më shumë të çështjes së regjistrimit të studentëve nga Lugina e Preshevës në degë të ndryshme të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Ministri Agani shprehu gatishmërinë që MSh të vazhdojë mbështetjen e kandidatëve nga Presheva për specializime, në bazë të kërkesave që do të vinin nga autoritetet përgjegjëse të Luginës së Preshevës, thuhet në një njoftim të MSH-së.