Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se tatimi në pronë është tatim i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.
MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.
Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.
Vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë përdor të dhënat si në vijim:
kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet);
intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme;
anketime të pronarëve të pronave;
intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral;
vlera të pronave që janë shpronësuar;
të dhëna të qirave; dhe
të dhëna nga kompani të ndërtimit.
https://tatimineprone-rks.org/vleresimi/
Vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave. Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar.
https://tatimineprone-rks.org/…/tatimi…/tatimi-ne-toke/
Me rastin e vlerësimit të pronave rezidenciale, duke u bazuar në vlerën e tregut, në vegëzën e mëposhtme mund të gjeni raportet e vlerësimit të pronave rezidenciale për secilën komunë.
https://tatimineprone-rks.org/publ…/raportet-dhe-te-tjera/
Për çdo ankesë ndaj vlerës së vlerësuar për pronën tuaj udhëzoheni të drejtoheni pranë Komunës tuaj për të paraqitur ankesë ndaj certifikatës së vlerës së vlerësuar, e cila pastaj shqyrtohet nga Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave. /2LONLINE/