Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, priti në takim delegacionin e nivelit të lartë të BE-së, i udhëhequr nga z. Pedro Serrano, zëvendës sekretar i përgjithshëm për politikat e përbashkëta te sigurisë, dhe mbrojtjes dhe reagimit ndaj krizave, në takim ishin prezent, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Shpend Maxhuni.
Zv. Drejtori i përgjithshëm për siguri në BE, Olivier Onidi në këtë takim njoftoj zyrtarisht ministrin Sefaj, se në mbledhjen e djeshme të bordit menaxhues të EUROPOL-it të mbajtur dje është vendosur që Kosova te jete ne listën prioritare nga shtetet anëtare te EUROPOL-it me te cilën EUROPOL do te lidh Marrëveshje Pune.
Vendosja dhe aprovimi i Kosovës në listën e prioritare nga shtetet anëtare dhe aprovimi nga ana e Bordit Menaxhues të EUROPOL-it ka ardhur edhe si rezultat i punës së vazhdueshme që MPB në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ILEC-un, MPJ-në dhe Zyrën e Kryeministrit.
Gjithashtu në këtë takim u diskutua për zbatimin e strategjisë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Sefaj shprehi përkushtimin e tij për të luftuar në çdo formë të mundshme terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm si dhe çdo lloj kërcënimi për sigurinë shtetërore, krimeve të të gjitha llojeve e posaçërisht atyre trans-kufitare.
Gjithashtu u prezantuan nga ana e Policisë së Kosovës, të arriturat e tyre në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.
Anëtarësimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qenë prioritet i ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, që nga dita e parë e marrjes së detyrës së ministrit.