Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), z. Rrustem Berisha, priti sot në një takim drejtorin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”, z. Keith W. Dayton.
Ministri Berisha, me këtë rast, ka falënderuar drejtorin e Qendrës Marshall z Dayton për vizitën dhe mbështetjen që i ka dhënë kjo qendër FSK-së për një kohë të gjatë, duke i trajnuar dhe përgatitur një numër të madh të pjesëtarëve të saj në Qendrën Marshall në Garmish të Gjermanisë.
Gjatë takimit, ministri Berisha dhe drejtori Dayton, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Qendrës Marshall.
Ministri Berisha po ashtu e njoftoi z. Dayton edhe me zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, në veçanti ai foli për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal; bashkëpunimin me NATO-n; Gardën Kombëtare të Ajovës; NALT-in, (Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për MFSK/FSK-në); memorandumet e bashkëpunimit me shtetet anëtare të NATO-s; plotësimin e kapaciteteve operacionale; integrimin e pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë në FSK, në veçanti të komunitetit serb; përqindjen e përfaqësimit të gjinisë femërore dhe gradimin e femrës së parë në gradën gjeneral, si dhe për zhvillimet rreth procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke vlerësuar padyshim kontributin e ekspertëve amerikanë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, drejtori i Qendrës Marshall, Keith Dayton, duke falënderuar ministrin Berisha për pritjen, shprehu edhe kënaqësinë e tij për arritjet e FSK-së. Ai njëherazi lavdëroi edhe pjesëtarët e FSK-së për sukseset e treguara gjatë shkollimit të tyre në Qendrën Marshall.
Gjithashtu, drejtori i Qendrës Marshall u zotua dhe premtoi se mbështetja për mekanizmat e sigurisë do të vazhdojë, dhe se bashkëpunimi me FSK-në do të thellohet edhe më tepër.