Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, priti sot në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava.
Myftiu Tërnava pasi e falënderoi ministrin për pritjen, shprehu edhe gëzimin e tij që Kosova arriti të formojë ushtrinë, e cila siç tha ai “është garanci e fortë për paqen dhe sigurinë e vendit tonë dhe rajonit”.
Ai po ashtu tha se BIK-u ka kontribuar në të kaluarën dhe do të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e ushtrisë. “Zoti ju ndihmoftë në rrugën tuaj për ndërtimin e kapaciteteve të plota ushtarake. Na ka gëzuar pa masë edhe përkrahja e miqve tanë ndërkombëtarë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe miqtë tjerë të shtetit tonë”,- u shpreh myftiu Tërnava.
Ministri e falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën, duke thënë se “kjo vizitë është shumë domethënëse dhe do t’i shërbejë zhvillimit dhe ecjes përpara të proceseve shtet-formuese të Kosovës dhe se roli i BIK-ut është shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Kosovë”.
Ministri Berisha theksoi se ushtria e Kosovës do të jetë forcë paqësore që do t’iu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.