Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në një takim lamtumirës shefin e deritanishëm të Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dr. Skender Syla, cili nga 1 janari 2017 do të kalojë në një pozitë të re si Përfaqësues dhe Shef i Zyrës së OBSh-së në Republikën e Bullgarisë.
Gjatë këtij takimi, Ministri Rrahmani ka vlerësuar kontributin e Zyrës së OBSH-së në Kosovë dhe të shefit të saj z. Syla në shumë procese, përfshirë zhvillimit të politikave dhe strategjive shëndetësore, ndërtimit dhe zhvillimit të kapaciteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, programin e Infermierisë, shëndetin publik dhe atë mjedisor, shëndetit mendor, sistemit të vaksinimit, sistemit të menaxhimit, kontrollit të sëmundjeve ngjitëse dhe atyre jo-ngjitëse, shkollave promovuese të shëndetit, shëndetit të adoleshentëve, shëndetit të popullatës së moshuar, edukimit dhe promovimit shëndetësor, kontrollin e duhanit, etj.
Gjithashtu, Ministri Rrahmani i ndau dr. Sylës mirënjohje për kontributin e dhënë nga ai dhe Zyra e OBSh-së në Prishtinë për shëndetësinë kosovare.
Nga ana e tij dr. Syla u shpreh falënderues për bashkëpunimin korrekt me MSh-në dhe institucionet shëndetësore dhe shprehu përkushtimin e Zyrës së OBSh-së që të vazhdojë përkrahja për fuqizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe reformimin e saj.