Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani sot priti në takim shefen e OBSh-së zyra në Beograd, Doctor Zsofia Pusztai të shoqëruar nga shefi i zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skender Syla. Ministri Rrahmani informoi znj. Pusztai, për reformën që po zhvillohet në kuadër të shëndetësisë në Kosovë, për sfidat dhe të arriturat në këtë proces.
“Falë bashkëpunimit të mirë dhe mbështetjes së vazhdueshme që kemi nga qeveritë mike, organizatat ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm, është shënuar progres në shëndetësi, kështu që MSh ka arritur në një fazë të fillimit për mbledhjen e premiumeve për sigurimet shëndetësore nga janari i vitit 2017, poashtu janë bërë përgatitje të ndjeshme në funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, funksionalizimi i Odave të profesionistëve shëndetësorë dhe bartja e kompetencave nga MSH në Oda e shumë aktivitete të tjera që ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Ministri Rrahmani.
Ai tha se “meqenëse shëndetësia është një prej pesë prioriteteve qeveritare, MSh është duke përgatitur politika të tilla që në të ardhmen të investohet më shumë në shëndetësi dhe duke llogaritur edhe përkrahjen e bashkëpunëtorëve tanë ndërkombëtar të arrijmë pikësynimet e tona në fushën e shëndetësisë”.
Znj. Pusztai tha se është e njoftuar me sfidat që është përballur shëndetësia në Kosovë, por edhe me të arriturat në reformën shëndetësore.
Duke uruar suksese në realizimin e objektivave të MSh-së, znj. Pusztai ka ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen e pa rezervë të OBSh-së për MSH-në, në çdo aspekt e në veçanti në funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke ofruar mundësinë në qasje të eksperiencave dhe shkëmbimit të përvojave të vendeve të ndryshme në këtë fushë ku siç tha ajo ”për shkak se sigurimet shëndetësore janë sfiduese edhe për vendet me të zhvilluara të botës”.