Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Imet Rrahmani i shoqëruar nga Zëvendësministri Kadir Hyseini, Ambasadori i Kosovës në Ankara Avni Spahiu dhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Ardian Mehmetaj, është pritur sot në Ankara nga Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Rexhep Akdag.
Takimi është realizuar në vazhdën e takimeve gjatë vizitës studimore që po zhvillon delegacioni kosovar në Ankara-Turqi, i udhëhequr nga Ministri Rrahmani.
Pas takimit që kanë pasur ministrat, është mbajtur konferencë për media, ku është prezantuar qëllimi i takimit të tyre, dhe vizitës që po bënë delegacioni kosovar në Ankara.
Ministri Rrahmani ka shprehur ngushëllime për Qeverinë turke dhe familjarët e viktimave të shkaktuara nga akti terrorist në Stamboll.
Ai më pas është shprehur falënderues ndaj Qeverisë së Turqisë, për mbështetje të vazhdueshme që nga paslufta e këtej, veçanërisht për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tanishëm në procesin e reformës së shëndetësisë në Kosovë.
Ai i njoftoi të pranishmit me të arriturat që janë bërë në Kosovë, veçanërisht në shëndetësi, për hapat përfundimtarë që janë duke u bërë për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore, bartjen e kompetencave nga MSh te Odat e profesionistëve shëndetësor, angazhimi serioz në funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor si dhe qasjes dhe investimeve me projekte konkrete në forcimin e Kujdesit Parësorë Shëndetësor.
Ministri Rrahmani tha se “qëllimi kryesor i vizitës sonë në shtetin mik, është njohja për së afërmi me eksperiencën dhe zhvillimet e fundit në shëndetësinë e Turqisë si dhe të diskutohen mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë”.
Ministri Akdag tha se bashkëpunimi dhe përkrahja për popullin e Kosovës nuk do të mungojë asnjëherë nga Qeveria e Turqisë, si në ngritjen e kapaciteteve profesionale shëndetësore, infrastrukturore, por edhe me forma të tjera të cilat do të shihen në të ardhmen si të nevojshme për të bërë përparimin e duhur në fushën e shëndetësisë.
Ndryshe, vizita studimore e delegacionit kosovar është zhvilluar në nivel qendror dhe lokal, ku është marrë modeli i skemës së performancës bazuar në nivel qeveritar me kontraktues, janë bërë vizita në një qendër të mjekësisë familjare, ku janë përfshirë diskutimet me ofruesit në skemë, është vizituar Drejtoria e Shëndetësisë Provinciale, qendrat komunitare të shëndetit, të cilat janë përgjegjëse për procesin e verifikimit / auditimit lidhur me pagesat e performancës, etj. të cilat rezultatedo të shërbejnë si model për të zbatuar në Kosovë.