Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim Ushtruesin e Detyrës së Shefit të UNICEF-it në Kosovë, z. James Mugaju, ku është biseduar për bashkëpunimin në shëndetësi.
Ministri Rrahmani tha se bashkëpunimi me UNICEF-in ka luajtur rol të rëndësishëm në realizimin e objektivave të MSH-së, për çka jemi edhe falënderues, sidomos në ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësorë të nënës dhe fëmijës, projektin e vizitave shtëpiake shëndetësore dhe për kontributin në realizimin e suksesshëm të programit të imunizimit në vendin tonë.
Ministri Rrahmani ka njoftuar z. Mugaju për miratimin e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore nga Qeveria e vendit, “e cila do të reflektojë dukshëm në ngritjen e përgjegjësive si dhe do të lehtësojë realizimin e objektivave të MSh-së për katër vitet e ardhshme”.
U.D. Shefi i Unicef-it, z. Mugaju njoftoi Ministrin Rrahmani për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në IKSHPK nga UNICEF, të cilët janë duke dhënë kontributin e tyre profesional tashmë e sa ditë, sidomos në planifikimin e programit të imunizimit.
Ai më tutje ka shprehur gatishmërinë për forcim të bashkëpunimit bazuar në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021 të miratuar ditë më parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.