Ministri Pal Lekaj priti sot Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler së bashku me përfaqësuesit e tri kompanive: Starbag, Kral dhe Green Team, me të cilët diskutuan për mundësitë e të bërit biznes në Kosovë dhe hapësirën që mund t’u ofrohet këtyre bizneseve.
Duke e parë këtë si një mundësi shumë të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e posaçërisht në infrastrukturë, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, falënderoi delegacionin për vizitën dhe interesimin e tyre për bashkëpunim, si dhe u ofroi atyre një pasqyrë të projekteve të cilat nuk kanë filluar ende dhe të cilat pritet të fillojnë në të ardhmen.
“Kosova është një treg i ri dhe ka hapësirë për investitorë, e sidomos kur kemi përfaqësues të kompanive serioze të cilat i duhen Kosovës. Ndoshta ne si Kosovë kemi bashkëjetuar shumë vite me sistemin Jugosllav, por atë sistem e ka shkatërruar lufta dhe tani po ia fillojmë prej zeros që të bëjmë një reformë ekonomike të këtij sistemi. Ajo që ne jemi duke punuar si Qeveri e Kosovës, po bënë që investitorët së pari të kenë siguri dhe pa sigurinë e investitorëve, unë besoj që kot bisedojmë”, tha ministri Lekaj.
Ministri radhiti edhe arsyet se pse duhet të investohet në Kosovë, si: dalja e Kosovës në det për dy orë e gjysmë, klasifikimi i Kosovës si qendër e shteteve fqinjë, lidhja rrugore me Tiranën për dy orë, me Shkupin një orë, me Beogradin katër orë, lidhjen hekurudhore dhe autostradën që na e mundëson daljen në det. Lekaj gjatë këtij takimi gjithashtu theksoi edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm me ndikim në zhvillimin ekonomik të Kosovës, fuqinë punëtore të vendit, e cila sipas tij është shumë e lirë.
Sipas ministrit Lekaj, këtyre bizneseve do t’u ofrohet hapësirë e mjaftueshme që në projektet e ardhshme infrastrukturore të mund të kenë kyçje dhe të punojnë me seriozitet, ashtu siç duhet. Projektet për të cilat bëhet fjalë janë: autoudha Kievë-Zahaq, zgjerimi i rrrugës me katër korsi Gjakovë-Dollc, procesi i Berlinit Durrës-Merdarë-Nish, autoudha Prishtinë-Mitrovicë si dhe projekti madhor i cili pritet të fillojë në vitin 2019, pra autostrada e Dukagjinit me gjatësi prej 91 kilometrash, duke lidhur kështu Istogun me Prizrenin.
Ndër të tjerash, ministri Lekaj dhe ambasadori Pfandler diskutuan edhe për problemin e shfaqur të mosnjohjes së patent shoferit të Kosovës në shtetin e Austrisë dhe mënyrën se si mund të merren hapa të duhur sa i përket kësaj çështjeje.
Duke u nisur prej këndvështirmeve të tyre, ambasadori austriak në Kosovë Gernot Pfandler, së bashku me përfaqësuesit e kompanive prezente në takim, e vlerësuan gjendjen e infrastrukturës rrugore në Kosovë, si një prej më të mirave në rrethinë dhe që me të vërtetë është për të marrë lëvdatë sa i përket zhvillimeve infrastrukturore.