Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po organizohet nga The Economist në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministri Murati mori pjesë në panelin “Investimet në Ballkanin Perëndimor për Rritje të Qëndrueshme”.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Murati u shpreh se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një varg masash për t’u bërë ballë pasojave ekonomike fillimisht nga pandemia COVID-19, e pastaj edhe nga kriza inflacionare e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë. Me këtë rast, menaxhimi i mirë i financave publike e prioritizimi i mbështetjes ndaj grupeve më në nevojë, subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike, e së fundmi edhe mbështetja ndaj bizneseve prodhuese kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës t’i përballojë më lehtë krizat globale, e të vazhdojë të ketë rritje poziteve edhe gjatë këtij viti.
Tutje, Ministri Murati u fokusua edhe tek roli i institucioneve ndërkombetare financiare si mbështetëse të rëndësishme të qeverisë për zhvillimin e projekteve kyçe infrastrukturore. Ai u shpreh se qeveritë duhet të jenë proaktive dhe të përkushtuara që nevojat që identifikohen gjatë procesit politikëbërjes të adresohen me institucionet ndërkombëtare financiare, ashtu që financimi i tyre të jetë sa më i përballueshëm.
Konferenca e Samitit të Ballkanit Perëndimor ka mbledhur politikanë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, akademikë, si dhe përfaqësues nga fusha e biznesit e ndërmarrësisë për të diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në rajon. /2LONLINE/