Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, në selinë e ministrisë së mbrojtjes kroate, me nderime të larta ushtarake, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, u prit në takim nga homologu i tij, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banožić.
Në takimin mes tyre u diskutua rreth bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes dhe mundësisë për avancimin e bashkëpunimit edhe në industrinë e mbrojtjes, pastaj rreth angazhimit dhe rolit të rëndësishëm të Kroacisë në NATO dhe misionin e KFOR-it si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë për anëtarësim të Republikës së Kosovës në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes me theks të veçantë në Kartën e Adriatikut- SHBA (A5), e cila këtë vit kryesohet nga Republika e Kroacisë.
Gjatë këtij takimi, ministri Banožić, ndër të tjera, theksoi miqësinë ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës në përgjithësi dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet dy ministrive në veçanti. Ai ndër të tjera theksoi se është koha që bashkëpunimin bilateral t’a ngrisim në nivel edhe më të lartë në kontekstin e Memorandumit të ri të Mirëkuptimit midis dy ministrive, i cili është duke u përgatitur, dhe i cili do të përfshijë modalitete të reja të bashkëpunimit. “Do të jetë një projekt kompleks shumëvjeçar, por besoj se ky bashkëpunim do të lidhë më tej vendet tona në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik” tha ai. Ministri Banožić gjithashtu njoftoi dhe ftoi Ministrin Mehaj në Ekspozitën dhe Konferencën Ushtarake dhe Ajrore të Adriatikut – ASDA, e cila është planifikuar të mbahet këtë vjeshtë në Split. Nga ana e tij, Ministri Mehaj, falënderoi ministrin Banožić për mbështetjen e vazhdueshme shumëvjeçare, duke theksuar se kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës. Ai tha se ishte një nder i madh për të që është në Kroaci, të cilën Republika e Kosovës e sheh si një nga partnerët dhe mentorët më të fortë rajonalë në procesin e tranzicionit dhe avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Stabiliteti dhe siguria rajonale mund të arrihen vetëm përmes përpjekjeve dhe bashkëpunimit të përbashkët,” tha ministri, duke shprehur kënaqësinë me presidencën e Kroacisë të Kartës së Adriatikut-SHBA (A5) të këtij viti, duke theksuar se ai shpreson që Republika e Kosovës së shpejti do të bëhet anëtari më i ri i Kartës. “Ne jemi mirënjohës Kroacisë për mbështetjen e saj gjatë gjithë këtyre viteve. Ne e shohim Kroacinë si një mentor dhe mësimet e nxjerra do të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt NATO-s. Sot në Kosovë kemi pasur garën tradicionale për ushtarin më të mirë dhe unë sapo morra informacion se një ushtar i Ushtrisë Kroate fitoi garën. Urime për suksesin”, tha në fund Ministri i Kosovës dhe ftoi Ministrin Banožić në Prishtinë për të nënshkruar Memorandumin e ri të Mirëkuptimit.
Gjatë vizitës katërditore, ministri Mehaj me delegacionin e tij, zhvilloi vizitat në kompanitë prodhuese për t’u njohur nga afër me cilësinë e pajisjeve të prodhuara nga kompanitë kroate të industrinë e mbrojtjes.
Në vazhdën e aktiviteteve të shumta, ministri Mehaj, përveç takimit me stafin diplomatik të Kosovës në Zagreb, po ashtu vizitoi student-kadetët e Kosovës në Akademinë Ushtarake të Kroacisë ku është pritur nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Mate Pađen dhe stafi i tij. Gjatë vizitës, ministri Mehaj, përveç tjerash rreth institucionit përkatës, u njoftua edhe me të arriturat e studentë-kadetëve të FSK-së që studiojnë aktualisht në këtë akademi. Nga ana e tij, ministri Mehaj, nikoqirët i përgëzoi për të arriturat e akademisë ushtarake kroate duke shprehur falënderimin për përkushtimin e tyre për aftësim sa më cilësor akademik e profesional të studentë-kadetëve tanë. Në bashkëbisedim të afërt me studentë-kadetët kosovar, ndër të tjera, ai i inkurajoi ata për angazhim maksimal në studime për aftësim sa më të lartë akademik dhe profesional në funksion të karrierës së tyre ushtarake si dhe përgjegjësive që i presin në të ardhmen./2LONLINE.com/