Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar sot me përfaqësuesit e NATO-s nga Britania e Madhe.
“Ambasadori Quarrey e vlerësoi lartë progresin e FSK-së në të gjitha fushat, dhe theksoi faktin që mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat Euro-Atlantike”, ka shkruar Mehaj, në profilin e tij në facebook.
Postimi i plotë:
Nikoqir i delegacionit të Republikës së Kosovës në selinë e NATO-s ishte Ambasadori i Britanisë së Madhe në NATO, shkelqësia e tij, z. David Quarrey.
Në takim me Ambasadorin Quarrey dhe ambasadorët e tjerë të shteteve të Quintit diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike, zhvillmit të Republikës së Kosovës në sektorin e sigurisë, bashkëpunimin e ngushtë që si shtet e ushtri e kemi me Mbretërinë e Bashkuar, dhe drejtimet ku mund të thellojmë bashkëpunimin, e po ashtu diskutuam për raportin që kemi me NATO-n e KFOR-in, si trupa partnere të FSK-së e organe të rëndësishme këshilluese e mbrojtëse të sigurisë.
Ndër të tjerash shpreha po ashtu gatishmërinë që si shtet, si Ministri e Mbrojtjes përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës të ofrojmë ndihmë për Ukrainën, duke trajnuar ushtarakë ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Ambasadori Quarrey e vlerësoi lartë progresin e FSK-së në të gjitha fushat, dhe theksoi faktin që mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat Euro-Atlantike.
Në anën tjetër si ministër shpreha mirënjohjen për kontributin e trupës këshilluese të NATO-së, e po ashtu e bëra të qartë se misionet e NATO-së janë dhe misionet tona, andaj jemi në dispozicion çdoherë të ofrojmë mbështetjen tonë në misione që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të shteteve. /2LONLINE/