Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim Ministrin e Mbrojtjes në detyrë të Finlandës, Mikko Savola. Në këtë takim u diskutua rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit të agresionit rus në Ukrainë, si dhe situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin me KFOR-in e po ashtu për synimet e përbashkëta për anëtarësim në NATO.
Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë, trajnimet e përbashkëta dimërore ndërmjet dy forcave dhe shkëmbimi i përvojës së Ushtrisë Finlandeze, sa i përket konceptit të rezervës vullnetare, që së shpejti do të jetë formë e shërbimit edhe në ushtrinë tonë.
Me këtë rast, Ministri Mehaj, e njoftoi homologun e tij për zhvillimin e FSK-së, implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, si dhe gatishmërinë për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme në misionet e NATO-s, ashtu siç është vepruar duke asistuar në operacionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe ofrimin e trajnimeve për ushtarakët ukrainas.
Ministri Mehaj e ritheksoi edhe një herë se: “synimi ynë është që të ofrojmë kontributin tonë në sigurinë e përgjithshme, andaj anëtarësimi në NATO, është objektivi ynë më i rëndësishëm”.
Në anën tjetër, Ministri në detyrë, Savola, vlerësoi lartë bashkëpunimin e FSK-së me KFOR-in dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin në një situatë kur synimi për anëtarësim në NATO dhe ruajtja e stabilitetit e paqes mbeten përpjekjet kryesore të angazhimit ditor. /2LONLINE/