Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli dhe shefi i Kabinetit të Ministrit, Hasan Hoxha, ka pritur në takim Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral brigade Stephen Osborn, i cili ka ardhur për vizitë në Kosovë.
Fillimisht, Ministri Mehaj i uroi mirëseardhje Gjeneralit Osborn dhe e njoftoi lidhur me situatën e sigurisë në vend, zhvillimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe me punën që është duke u bërë për të arritur përmbushjen e objektivave strategjike, të cilat janë në funksion të plotë të zhvillimit dhe forcimit të ushtrisë sonë, me theks të veçantë në Planin Gjithëpërfshirës së Tranzicionit të FSK-së, ecurinë e përgatitjeve për ushtrimin shumëkombësh të “Defender Europe ‘23”, plotësim-ndryshimet në legjislacion të MM-së, etj.
Në këtë takim, Ministri Mehaj dhe Gjenerali Osborne theksuan se janë të përkushtuar për thellimin e partneritetit nga i cili përfitojnë të dy vendet.
Nga ana e tij, Gjeneral Osborne theksoi se partneriteti me Iowa-n do të jetë gjithnjë e më i fuqishëm dhe se gjithashtu do të vazhdojë mbështetja këshilluese në implementimin e planit dhjetëvjeçar të FSK-së, ashtu që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë ushtri profesionale e ndërveprueshme me ushtritë e shteteve të NATO-s, e aftë për të ruajtur paqen në vend, rajon dhe më gjerë. /2lonline/