Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier, të shoqëruar nga atasheu amerikan i mbrojtjes, Kolonel. Stephen Rose.
Me këtë rast, Ministri Mehaj me Ambasadorin Hovenier diskutuan për zhvillimet aktuale në mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë, mbështetjen si dhe aktivitetet e përbashkëta në mes dy vendeve dhe forcave tona.
Ministri Mehaj shprehu mirënjohje të thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Mbështetja e deritashme e SHBA-së është jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s, për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane dhe forcat aleate të saj”, theksoi Ministri Mehaj. Bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve tona ka në prioritet shërbimin efektiv ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e globale, u tha më tej në këtë takim. /2LONLINE/