Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka marrë pjesë në konferencën me temën “Bashkëpunimi komunal në mes Iowa-s dhe Kosovës”, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në vijim keni fjalimin e plotë të Ministrit Mehaj me këtë rast:
” Të nderuar të pranishëm,
Është fantastike të jem sot këtu mes jush duke u uruar një mirëseardhje të ngrohtë partnerëve tanë të dashur nga Iowa, Gjeneral Orr dhe Zonjës Dierenfel.
Mirë se erdhët përsëri!
Siç e dini tashmë shumë prej jush, Programi i Partneritetit Shtetëror i udhëhequr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, ka nisur me synimin afatgjatë të krijimit dhe zgjerimit të partneritetit me FSK-në, e cila ka ndihmuar Kosovën në promovimin dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë rajonale.
Si një nga rezultatet e shumta të këtij bashkëpunimi, në vitin 2021, FSK-ja zbarkoi me Gardën Kombëtare të Iowa-s në mbështetje të operacionit paqeruajtës në Kuvajt, si pjesë e Task Forcës së Përbashkët të Kombinuar në Operacionin “Inherent Resolve”.
Presim shumë suksese të tjera.
Më vjen shumë mirë të shoh që Kosova dhe Iowa po kërkojnë mundësi për bashkëpunim në fusha të tjera. Duke marrë parasysh pozitën gjeografike të Kosovës dhe praninë e forcave të NATO-s dhe SHBA-së, brenda dhe jashtë, Kosova ofron një lokacion dhe mundësi të shkëlqyer për investitorët.
Ne gjithashtu ofrojmë qasje të lehtë në tregjet rajonale dhe botërore.
Për më tepër, ne jemi duke përgatitur ngritjen e një agjencie mbrojtëse për të krijuar një komunikim të lehtë ndërmjet investitorëve dhe vendit. Ne jemi të përkushtuar për të krijuar akses më të lehtë për kompanitë dhe investitorët, veçanërisht në industritë e mbrojtjes, duke parë potencial të madh si për vendin ashtu edhe për investitorët.
Me rritjen e Investimeve të Huaja Direkte, Kosova rrit ndikimin e saj jo vetëm në fushën e sigurisë por edhe në fushën e zhvillimit ekonomik.
Për ne është shumë e rëndësishme të kemi investime nga vendet demokratike ku bashkëpunimi ekonomik i shërben qëllimit të përbashkët dhe ne jemi të përkushtuar të bëjmë biznes me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera si ne.
Në aspektin demografik, vlen të theksohet se 70% e popullsisë sonë janë nën moshën 35 vjeçare. Pothuajse 2/3 e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune. Është një numër i madh i kosovarëve me arsim perëndimor, të cilët po veprojnë si urë lidhëse për investitorët e huaj. Me këtë grup ne kemi kapacitetet dhe fuqinë njerëzore për të prodhuar produkte me cilësi të lartë për çdo nevojë mbrojtëse.
Falë diasporës së madhe si dhe pranisë së një komuniteti të madh ndërkombëtar, anglishtja, gjermanishtja dhe gjuhë të tjera evropiane fliten shumë mirë në vendin tonë.
Kosova ka krijuar 10 zona të lira ekonomike që ofrojnë lokacion të favorshëm gjeografik, mjedis të favorshëm biznesi, kosto më të ulëta operative, infrastrukturë të gatshme për shfrytëzim, dhënie me qira të lokaleve afariste dhe kushte të tjera të favorshme.
Ju rikujtojmë se, nga viti i kaluar kemi rritje ekonomike prej 10.5%, rritje të eksportit prej 83%, rritje të investimeve nga jashtë prej 21.8% si dhe ngritje prej 17 vendeve në luftën kundër korrupcionit.
Të gjithë këta faktorë kushtëzojnë tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, si dhe mundësojnë që Republika e Kosovës të jetë atraktive për vendet evropiane dhe vendet e botës për të investuar në Kosovë, në aspektin e sigurisë, institucioneve, infrastrukturës, taksave, variablave të tregut të punës. strukturën ekonomike dhe stabilitetin ekonomik.
Kështu, të nderuar zonja dhe zotërinj, investimi juaj në Kosovë shërben për qëllime të shumta dhe ftoj secilin prej jush të shohë potencialin për investime dhe mundësitë për bashkëpunim.
Ju faleminderit!”