Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim veprimtarin e çështjes kombëtare, Nufri Lekaj dhe gazetarin norvegjez Pal S. Refsdal.
Gjithashtu, në këtë takim, të pranishëm ishin edhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, Inspektorja gjenerale e FSK-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu, drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës në MM, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, Komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneral brigade Naim Hazirit, shefi i kabinetit të Ministrit të MM-së, Hasan Hoxha, si dhe këshilltarë politikë të Ministrit Mehaj.
Në shenjë respekti për angazhimin e tyre të pashembullt për çështjen kombëtare shqiptare, Ministri Mehaj u ndau mirënjohje z.Lekaj z.Refsdal për përfaqësimin dhe pasqyrimin e drejtë e dinjitoz të luftës çlirimtare në Kosovë.
“Historia e lavdishme e popullit shqiptar do të ishte e pamundur të dokumentohej pa angazhimin direkt të veprimtarëve të çështjes kombëtare e të atyre që pasqyrimin e drejtë të ngjarjeve përveçse si detyrë profesioni e ndjejnë edhe si obligim moral njerëzor e parim jetësor. Të tillë personalitete që marrin përmasa përtej qenies së tyre të vdekshme janë veprimtari Nufri Lekaj e gazetari norvegjez Pal S. Refsdal”, theksoi Ministri Mehaj duke shtuar se përmes z.Lekaj e bashkëpunëtorëve të tij u pasqyrua politikisht çështja e Kosovës dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, ndërsa përmes kronikave dhe lensit të aparatit fotografik të gazetarit Pal S. Refsdal, u paraqit vizualisht e vërteta e zhveshur nga politikat shoviniste serbe. /2LONLINE/