Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bashkë me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënat Bashkim Jashari, vizituan sot Komandën e Forcave Tokësore në Istog, ku u pritën nga komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Hysen Dreshaj.
Me këtë rast, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari i uruan gjeneral Dreshajt gradimin e po ashtu suksese në drejtimin e kësaj komande, që përbën elementin kyç luftarak tokësor.
Në këtë takim u theksua se duke qenë në fazën e dytë të implementimit të Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit kërkohet shumë angazhim për të përgatitur ushtarët e rinj në aspektin profesional, e po ashtu për të ngritur kapacitetet humane përmes trajnimit të vazhdueshëm të ushtarakëve tanë.
Ministri Mehaj me këtë rast u shpreh se me punë të pandërprerë, investime të vazhdueshme, Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet për të pëmbushur standardet e NATO-s, ashtu që si ushtri të kontribuojë jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në vend, por gjithashtu në rajon dhe më gjerë. /2LONLINE/