Me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2022” në Washington.
Me këtë rast, përveç pjesëmarrjes në sesionet e konferencës dhe panairit vjetor, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari u takuan me përfaqësuesit e kompanive më të njohura prodhuese të industrisë amerikane të Mbrojtjes, respektivisht pajisjeve ushtarake dhe po ashtu u njoftuan me zhvillimet më të fundit teknologjike në këtë fushë, përmes prezantimeve informuese si dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Nga aktivitetet përkatëse, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari theksuan rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka kjo pjesëmarrje për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake, avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate, të kemi në proporcion edhe investimet tona në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Gjithashtu me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se gjatë vitit 2021 kemi investuar në këtë drejtim 96% më shumë sesa në vitin 2019, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet që investimi të jetë 99% më i lartë. Synimi ynë është që Ushtria e Republikës së Kosovës të jetë e pajisur me armatimet më moderne ushtarake, e gatshme për të përballuar të gjitha sfidat e sigurisë.
Përveç takimeve gjatë panairit me përfaqësues të kompanive të industrisë amerikane të mbrojtjes, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari do të kenë takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit, me Zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl, Drejtorin e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), James Hursch dhe Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjeneral Daniel R. Hokanson. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite ditore pritet të takohen edhe me personalitete tjera të larta politike e ushtarake, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Vizita përkatëse e Ministrit Mehaj dhe Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpreh fuqishëm partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. /2LONLINE/