Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e rihapjes së bazës ajrore ushtarake në Kuçovë të Republikës së Shqipërisë, të cilën e cilësoi si një ngjarje historike që do t’i japë karakter tjetër gjeostrategjik Shqipërisë e Ballkanit në përgjithësi.
“Kjo bazë që do të shërbejë si bazë ajrore taktike e operacionale, përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s, si aset i vyer i mbrojtjes kolektive në dekadën më të kërcënuar të sigurisë. Gjersa Forca e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, do të ngrisë dhe kapacitetet e saj ajrore, urojmë që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e flotës moderme ajrore”, theksoi ministri Maqedonci.
Më tej, ai shtoi se si çdoherë kombi shqiptar është në anën e duhur të historisë, andaj dhe kjo bazë, ashtu si dhe të gjitha kapacitetet ushtarake, do të jenë vetëm në funksion të paqes.
Përmes bazës ajrore të Kuçovës, situata e sigurisë në Ballkan tashmë do të shihet nga një prizëm tjetër, sigurisht më i konsoliduar se kurrë bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe fqinjve tanë që duan stabilitetin, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/