Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci iu drejtohet përmes një letre të hapur zyrtarëve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në vijim mund të gjeni përmbajtjen e kësaj letre:
Letër drejtuar zyrtarëve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës:
Kam pasur nderin e madh që gjatë gjithë jetës sime t’i shërbej vendit tonë Kosovës, andaj është përgjegjësi dhe nderim shumë i veçantë për mua, që ta marrë përsipër detyrën e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, nga Kryeministri Albin Kurti.
Gjatë kohës së shërbimit tim në FSK, falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civilë kam qenë dëshmitar i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga një forcë me kapacitete të kufizuara, në një ushtri profesionale siç është sot. Duke u bazuar në raportet që kemi krijuar përgjatë periudhash të ndryshme të punës së përbashkët, jam i bindur se do të vazhdojmë të përparojmë në drejtim të përmbushjes së objektivave për tu integruar në strukturat euro-atlantike, për të qenë aleat me peshë i partnerëve tanë dhe për tu bërë nga konsumues të sigurisë në ofrues të sigurisë.
Kemi arritur në këtë pikë përmes punës tonë të pandërprerë e të palodhshme, por gjithashtu edhe bashkëpunimit me NATO-n, me shtetet aleate dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta.
Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes për të siguruar udhëzime strategjike efektive dhe mbikëqyrje demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të vazhdojmë transformimin e FSK-së në forcë me kapacitete të plota ushtarake, të gatshme për të përmbushur misionin e saj vital në tre pika kyqe: mbrojtjen territoriale, pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes për agjencitë dhe autoritetet civile.
Jam i ngazëllyer dhe i entuziazmuar të filloj udhëheqjen e këtij institucioni profesional të civilëve, ushtarëve dhe oficerëve, për të punuar së bashku në zgjidhjen e problemeve dhe përmbushjen e objektivave. Së bashku do kontribuojmë në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke siguruar kështu sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Ejup Maqedonci
Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës