Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u takua sot me udhëheqësin e kompanisë gjermane Lammers, Andreas Lammers. Arsyeja e takimit të Lammers me ministrin Lekaj, ishte gjetja e mundësive të depërtimit të fuqisë punëtore të Kosovës, në shtetin gjerman, pasi siç e theksoi edhe Lammers, Gjermania ka nevojë për njerëz të zellshëm dhe punëtorë si kosovarët.
Duke u munduar të shërbejë si urë lidhëse në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, Ministri Lekaj përmendi anët pozitive të fuqisë punëtore të Kosovës, në njërën anë, kryerja e shërbimeve me çmim shumë të lirë dhe në anën tjetër, aktivizimi i punëtorëve të rinjë të Kosovës nëpër vendet perëndimore, në këtë rast në Gjermani.
Gjatë këtij takimi, gjithashtu u fol edhe për procesin e stërzgjatur të marrjes së vizave të punës, në Ambasadën Gjermane në Kosovë. Duke u munduar të ndërmjetësojë, në mënyrë që kjo procedurë të kryhet brenda një afati të arsyeshëm kohor, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj njoftoi Drejtorin Lammers, se edhe kompania e tyre mund të luaj një rol të rendësishëm sa i përket kësaj çështjeje, pasi çdo gjë që lidhet me fuqinë punëtore të Kosovës dhe me investimet në Kosovë, është edhe në interes të shtetit gjerman dhe jo vetëm kosovar.
Duke e parë Kosovën si një alternativë të mirë për investime në infrastrukturë, si dhe duke treguar interesim për marrëveshje për punësim të kosovarëve në Gjermani, Lammers shprehu respekt për punën e deri tanishme të shqipëtarëve në Gjermani edhe pse sipas Lammers, të rinjëve kosovarë u duhet edhe përgatitje profesionale.
Ndërkaq Ministri Lekaj falënderoi Drejtorin e kompanisë Lammers, Andreas Lammers, për interesimin e tij, si dhe pohoi se Kosova tanimë është duke punuar në shkollimin profesional të të rinjëve dhe se shteti ynë do të jetë çdoherë mikëpritës për të gjitha kompanitë e huaja dhe vendore, të cilat duan të investojnë këtu.