“Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë qëndrojmë prapa idesë që Kosova duhet të ketë një sigurim shëndetësor universal dhe do të bëjmë çmos që këto premtime që kanë qenë për një kohë të gjatë, realisht të kthehen në shërbime të prekshme për qytetarin”, tha Ministri Ismaili, në punëtorisë mbi rishikimin afatmesëm (RAM) të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PSHK).
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, tha sot se Kosova do të ketë sigurim shëndetësor universal, ndërsa premtimet do të kthehen në shërbime të cilat qytetarët kosovarë duhet t’i prekin.
“Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë qëndrojmë prapa idesë që Kosova duhet të ketë një sigurim shëndetësor universal dhe do të bëjmë çmos që këto premtime që kanë qenë për një kohë të gjatë, realisht të kthehen në shërbime të prekshme për qytetarin”, tha Ministri Ismaili.
Ministri tha kështu në hapje të punëtorisë mbi rishikimin afatmesëm (RAM) të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PSHK), që po mbahet në Prevallë. Ai tha se pret që Projekti i Shëndetësisë Kosovare të forcojë kapacitetet menaxhuese në institucionet shëndetësore.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum, këtë Qeveri të re, e cila ka për qëllim që këto reforma t’i kthejë në realitet dhe të shohim sektorin e shëndetësisë më të organizuar, me mbështetje më të madhe politike, financiare dhe natyrisht me ngritje të kapaciteteve profesionale aty ku ka nevojë. Për këtë jam këtu, që të zotohem se mbështetja ime si ministër, por edhe e Qeverisë së Kosovës do të jetë e plotë dhe e fuqishme në atë që reformat të cilat kanë filluar dhe janë bërë me punën e shumë akterëve që janë këtu, që kanë punuar për kohë të gjatë, por që kanë ngecur në implementim. Së bashku do të bëjmë që ky projekt apo këto reforma të jetësohen”, tha Ministri Ismaili.
Z. Marko Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, tha se Projekti i Shëndetësisë Kosovare është projekt i partneritetit të Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore, që ka për qëllim të sigurojë përmirësimin e mbrojtjes financiare të varfërve për t’i ruajtur ata nga shpenzimet shëndetësore, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve prioritare të kujdesit për shëndetin e nënës dhe fëmijës si dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor për mbrojtje kundër sëmundjeve ngjitëse.
z. Mantovanelli tha se BB do të mbështes Qeverinë, MSh-në dhe komunitetin mjekësor në arritjen e këtyre objektivave, ndërsa theksoi faktin se reformat, bazuar edhe në përvojat e vendeve të tjera, nuk janë askund të lehta dhe të thjeshta, porse me një punë intensive, bashkëpunim të gjithë partnerëve dhe me transparencë mund të arrihen.
Ushtruesi i Detyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, z. Sejdë Tolaj, ka bërë një prezantim të situatës rreth përgatitjeve për implementimin e sigurimeve shëndetësore dhe kapaciteteve që ka ndërtuar deri tash Fondi.
Ai tha se me përkrahjen e PSHK është arritur që të realizohen disa hapa në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të Fondit; zbatimit të kontratave me gjashtë komunat pilot të pagesës për kapitacion bazuar në performancë për fuqizimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor; janë propozuar ndryshimet e duhura në legjislacion; janë bërë përgatitjet për zbatimin e testit të varfërisë pasi të marr vendim për këtë Qeveria; përgatitjet për krijimin e listës së shërbimeve themelore dhe çmimores së shërbimeve si parakushte për fillimin e implementimit të sigurimeve shëndetësore, etj.
Tolaj tha se Fondi është një institucion që tejkalon suazat e vetëm MSh-së, prandaj për fillimin e implementimit të premiumeve dhe sigurimeve, duhet përkrahja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve vartëse të saj dhe komunitetit shëndetësor.
Dr. Fatime Arenliu-Qosaj, koordinatore e Njësisë së Koordinimit të Projektit (NjKP), ka bërë një prezantim të detajuar të aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të PSHK-së, përfshirë komponentët dhe nënkomponenët e saj, ndërkohë që, pjesëmarrës nga institucione të ndryshme në punëtori, më pas kanë diskutuar për aktivitetet e deritanishme të projektit dhe planet e ardhshme në kuadër të projektit.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare, që është financim me huamarrje nga Banka Botërore, në vlerë prej 25.5 milionë dollarëve amerikanë, është duke e mbështetur Qeverinë e Kosovës, (sipas Marrëveshjes së hyrë në fuqi më 20 maj 2015), në drejtim të përmirësimit të mbrojtjes financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve prioritere të kujdesit të shëndetit të nënës dhe fëmijës si dhe të shërbimeve të sëmundjeve jo-ngjitëse.