Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, po qëndron në një vizitë në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e thirrur nga Komisionari për Çështje të Migrimit, Shtetësi dhe Punë të Brendshme Dimitris Avramopouls. Takim ky në mes ministrave të Punëve të Brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit migratore, bashkëpunimin në menaxhimin e kufijve, migrimin jo të rregullt, rreziqet e sigurisë, si dhe prioritetet e strategjisë së Ballkanit Perëndimor në këto fusha nga këndvështrimi i Unionit Evropian.
Ministri Gashi theksoi se gjatë viteve të fundit, Republika e Kosovës nuk është prekur drejtpërdrejtë nga kriza e refugjatëve, por megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera të shtetit kanë ndërmarrë masa në rast të ndonjë përballje me vale të mundshme të refugjatëve.
Gjatë fjalimit të tij ministri Gashi në emër të Qeverisë së Republikës, konfirmoi gatishmërinë për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më të gjithë mekanizmat evropian dhe ndërkombëtarë, sa i përket çështjeve të sigurisë, menaxhimit të kufirit dhe lëvizjeve të mundshme migratore në rajon.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës do të mbështetë çdo nismë që i shërben tejkalimit të këtyre sfidave, me të cilat është duke u përballur rajoni dhe bota”, theksoi ministri Gashi.
Po ashtu në kuadër të takimit, pjesëmarrësit shfrytëzuan rastin të diskutojnë edhe për çështjet tjera të sigurisë, me fokus të veçantë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimit kibernetik dhe krimit të organizuar.
Pas përfundimit të takimit zyrtar, z. Dimitris Avramopouls, ka pritur në takim të ndarë delegacionin e Republikës së Kosovës, me ç ‘rast u vlerësua lartë puna dhe angazhimi i deritanishëm i Republikës së Kosovës.
Në këtë takim morën pjesë ministrat e Brendshëm të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Pjesëmarrës në takim ishin po ashtu Presidenti aktual i Këshillit Evropian nga Bullgaria, si dhe Presidenti i ardhshëm i Këshillit Evropian nga Austria, pastaj anëtari i KE për çështje të Sigurisë z. Julian King, si dhe Drejtori Ekzekutiv për kufij evropian z. Fabrice Leggeri.