Xhemail Veseli – TV Gjilani – News
Ministri i MKRS-së Hajrullah Çeku, ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” nga Gjilani, gjegjësisht anëtarët e Redaksisë së Revistës “Horizonti”.
Në takim janë diskutuar modalitetet e botimit të revistës ndër vite si dhe aktivitetet kryesore që e kanë karakterizuar të kaluarën, që e karakterizojnë të tashmen si dhe synimet për të ardhmen e enigmatikës Kosovare e mbarëshqiptare, gjegjësisht fillet e enigmatikës shqipe me më të parën revistë të strukturuar të karakterit enigmatik në mbarë hapësirën shqiptare.
Me këtë rast u tha se “Horizonti” filloi të botohej më 15 janari 1980. E një numër I konsiderueshëm i punimeve të botuara asokohe në faqet e kësaj reviste, në kulmin e masovitetit dhe jehonës së “Horizontit”, mbanin firmën e vet ministri Çeku, i cili, atëbotë si 15-vjeçar, kishte filluar të merrej me sajimin, dhe më pas me botimin e enigmave të para, pikërisht në faqet e revistës “Horizonti”.
“… Gjatë periudhës së luftës pothuajse çdo ditë kam krijuar, ndërsa pjesa më e madhe e botimeve, por edhe krijimeve më janë zhdukur”, tha veç tjerash Ministri Çeku, duke kujtuar periudhën e krijimtarisë së tij, përfshirë edhe sajimin e enigmave të llojeve të ndryshme.
Ndërsa Kryeredaktori i Revistës “Horizonti” Zijadin Hasani, duke i bërë një përshkrim kronologjik botimit të revistës, potencoi se interesimi i lexuesve dhe zgjidhësve të enigmave ishte jashtëzakonisht i madh dhe se afirmimin më të madh “Horizonti” e kishte çerekun e fundit të shekullit kaluar.
“Revista fillimisht ka qenë periodike, mujore, me tirazh 2 mijë kopje, I cili tirazh herë-herë është shtuar jashtëzakonisht shumë, duke arritur deri në 20 mijë kopje të shtypura për një numër”, tha ai.
Fakte e ngjarje interesante për revistën “Horizonti”, kanë shpalosur edhe Rasim Vllasaliu e Rexhep Hasani nga redaksia e revistës, ndërsa kanë prezantuar para ministrit Çeku synimet për të ardhmen e saj, si dhe Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” në përgjithësi, për ç’gjë kanë marrë mbështetjen e tij për ta risjellur sërish para lexuesve, qoftë me botime periodike apo në forma tjera bashkëkohore, apo edhe në vet inicitivën për organizim të garave nga kjo fushë specifike. /2LONLINE/