Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha sot vizitoi Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së në kazermën “Evropianët e rinj’’ në Pomozotin, ku u prit nga komandanti i RMC-së kolonel, Shaip Haziri me bashkëpunëtorë.
Ministri Berisha së pari u njoftua shkurtimisht nga kolonel Haziri për punën dhe aktivitetet e njësisë që ai komandon, gjendjen e personelit, raportet ndërnjerëzore si dhe me kushtet e punës të pjesëtarëve të FSK-së në Regjimentin e Mbrojtjes Civile dhe në njësitë e saja të specializuara.
Më pas, ministri i FSK-së i shoqëruar edhe nga kolonel Haziri si dhe shefja e Zyrës për Komunitete në MFSK, zonja Lejla Loci zhvilluan një takim të hapur me pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komuniteteve, veçanërisht të komunitetit serb, që shërbejnë në disa prej njësive të Brigadës për Mbështetje Operacionale.
Me këtë rast, ministri Berisha me pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komunitetit serb foli mbi rëndësinë e zhvillimeve aktuale në FSK, motivimin dhe angazhimin e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së pa dallim në kryerjen e detyrave të tyre. “FSK-ja ka dëshmuar se është institucion shumetnik dhe se me kapacitetet që ka është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim nga përkatësia etnike, gjinore, fetare dhe racore” –shtoi ndër të tjera ministri Berisha.
I pari i FSK-së, z. Berisha i përgëzojë pjesëtarët e komunitetit serb që shërbejnë në FSK, të cilët edhe përkundër presioneve të ndryshme politike, për të cilat është në dijeni edhe faktori ndërkombëtar, janë të vendosur që të shërbejnë në FSK, në të mirë të qytetarëve që jetojnë këtu.
Në vazhdim, ministri Berisha shprehu keqardhje për disa pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët kanë shërbyer në FSK por që janë demobilizuar. ” Ndjehem mirë që asnjëri prej pjesëtarëve që kanë paraqitur kërkesë për demobilizim nuk kanë pasur ankesa sa i përket trajtimit, punës apo marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në FSK. Në këtë aspekt më gëzon fakti se çdo ditë ka kërkesa nga të rinjtë e këtij komuniteti për t’u rekrutuar në FSK”.
Ministri Berisha, në fjalën e tij drejtuar pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komunitetit serb, i garantojë ata që FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe se FSK-ja është dhe do të jetë institucion shumetnik, dhe se ndërtimi dhe zhvillimi i Forcës e përfaqësuar nga të gjithë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës varet nga angazhimi dhe puna e gjithsecilit brenda institucionit.
Ministri Berisha dëgjoi me vëmendje diskutimet e pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komuniteti serb për çështjet e jetës, punës dhe shërbimit në FSK, kryesisht çështjet e udhëtimit, trajnimeve, avancimeve si dhe të tjera lidhura me punën e përditshme në institucion.
Vlen të ceket se të gjithë diskutuesit shprehën gatishmërinë për shërbim në FSK, dhe se nuk vunë në diskutim ndonjë dilemë, përveç se bashkërisht me pjesëtarët e tjerë të zhvillohen dhe të punojnë në të mirë të FSK-së si institucion i cili u shërben të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës.