Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri
I nderuar kryetar z. Lutfi Haziri.
Në emër të Këshillit të Nxënësve të Gjilanit dëshirojë t’i adresojmë problemet që kemi në drejtim tuajin. Tani e sa ditë është krijuar një gjendje jo e mirë dhe aspak e këndshme në shkollën e Mesme të Artit Pamor. Sipas informatave që ne posedojmë si Këshill, mund të kemi dhe të krijohen situata të ngjashme edhe në shkolla të tjera. Ju lutemi të keni gatishmëri dhe përkushtim ti zgjidhni këto probleme, dhe ti evitoni problemet tjera që mund të krijohen.
Ne si këshill gjithmonë do të veprojmë konform së drejtës. Në situatën e tanishme, në veçanti në shkollën e Artit, është mirë të ballafaqohen faktet dhe pastaj të shikohet për vendime. Gjithashtu, sipas disa informatave që ne kemi, që disa profesorë të Artit duhet shkarkuar, mendojë që nuk i kontribuojnë stabilitetit, arsyeshmërisë si dhe harmonizimit të palëve nxënës/profesorë në atë shkollë.
Para se gjithash, mungojnë faktet për atë që po akuzohen, sepse po të ekzistonte ndonjë dëshmi konkrete, edhe ne si këshill do të distancohemi nga ta. Shkolla është institucion dhe tempull i edukimit dhe arsimimit, dhe për këtë arsye kjo duhet të ngërthejë vlera pozitive, dhe jo përfitime, jo-etik, dhe mashtrime nga persona zyrtarë, pa etiketime kushdo që janë ata.
Sinqerisht, Drilon Milazimi – kryetar i KNGJ-së