Ismajl KURTESHI
(2L ONLINE) – Këta muajt e fundit po e shohim si po funksionon marrëveshja e Brukselit për lëvizje të lirë në Kosovë. Shqiptarët munden lirshëm të udhëtojnë nga Kosova në Hungari por nuk mund të kthehen në të njëjtën rrugë.
Shqiptarët nuk mund t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre në veri, Derisa Qeveria e Serbisë po ndërton atje banesa kolektive për serbët. Ky është koncepti serb për ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë.
Migrime ekonomike e politike madje edhe dëbime si ato të vitit 1999 ka përjetuar shpesh Kosova.
Por të gjithë ata që largoheshin më herët, iknin me dëshirën që të ktheheshin sa më parë në shtëpitë e tyre. Një numër i madh i atyre që sot po e lëshojnë vendin po i shesin shtëpitë sepse i kanë humbur shpresat se do të krijohen kushte normale për jetë në Kosovë.
Këtë gjendje të rënd e të pa shpresë për qytetarët e sollën qeveritë, që gjatë 10 – 12 viteve të fundit prioritet i patën bisedimet me Serbinë e synim pasurimin e tyre të paligjshëm.
Shpërnguljet nuk mund të pengohen me polici, e me masa administrative, e as me falje pa kriter të borxheve.
Nëse kjo Qeveri vërtetë synon t’i pakësoj shpërnguljet duhet menjëherë të angazhohet:
Ta jetësoj rezolutën e Kuvendit të aprovuar me 5 shkurt.
Duhet urgjentisht t’i ndaj 30 – 40 milion eurove me të cilat do të hapen 10 – 15 mijë vende të reja pune. ku përparësi do t’u jepej anëtarëve të atyre familjeve që nuk e kanë asnjë të punësuar.
Të krijohen fonde për punësim dhe për asistencë sociale edhe me masa të përkohshme:
Duke i zvogëluar rrogat, e të gjithë atyre që i marrin mbi 1000 euro.
Duke i ndërpre honorarët mëditjet dhe benificionet tjera të të gjithë të punësuarve në sektorin publik.
Duke ua ndërpre pensionet të gjithë atyre që nuk jetojnë në Kosovë dhe atyre që e marrin një pension jashtë vendit.
Duke i zbutur kriteret për asistencë sociale.
Duke i rrit subvencionet për bujqit dhe prodhuesit vendor.
Duke mos i lejohet askujt të ketë më shumë se një vend pune.
Kuvendi i Kosovës duke i limituar rrogat e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Duke ju zvogëluar tatimet kompanive që hapin vende të reja pune varësisht nga numri i vendeve të reja të punës.
Buxheti i ministrisë për kthim të vihet në shërbim të parandalimit të shpërnguljeve.
Duke i zvogëluar shpenzimet për mallra dhe shërbime.
Duke mos ble me buxhetin e Kosovës vetura e mobile së paku në tri vitet e ardhshme.
Duke e mbikëqyr dhe imponuar respektimin e Ligjit të Punës në sektorin privat.
Për një jetë normale në Kosovë duhet të investohet në ngritjen e cilësisë në arsim, në ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore, në ngritjen e efikasitetit në gjyqësi si dhe në luftimin e dukurive negative. /2L ONLINE/