Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së nëntë në Superligë. SC Gjilani ka triumfuar minimalisht ndaj Dukagjinit në shtëpi me golin e Tomislav Busiç.
Kryetrajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani është shprehur i kënaqur me reagimin e skuadrës pas dy humbjeve radhazi që kishte pësuar në kuadër të javës së gjashtë ndaj Prishtinës dhe në kuadër të javës së shtatë ndaj Dritës.
Tekniku i ‘kuqebardhëve’ ka theksuar se nuk shikon tabelën, por ndeshjet e radhës dhe për skuadrën e tij të rëndësishme janë vetëm pikët.
“Ne nuk e shikojmë tabelën fare. Bilancin e bëjmë në fund, kështu që duhet të vazhdojmë përpara. Nëse shikojmë klasifikimin tani gabojmë sepse kalojmë në eufori. Ne marrim ndeshjet një nga një dhe mundohemi të gabojmë sa më pak për të mos e humbur ritmin. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje deri në fund. Reagimi i ekipit pas dy humbjeve radhazi është shumë i mirë dhe kjo tregon forcën dhe karakterin e skuadrës”, deklaroi Mezani.