/Punëtorët e arsimit bënë qëndresë 10- vjeçare ndaj okupimit serb/
(2L ONLINE) – Arsimtarët organizuan qëndresën më heroike dhe më të fuqishme kundër okupimit, duke ndërtuar sistemin paralel arsimor. Kjo ishte kundërvënia dhe përgjigja më e organizuar dhe më e rëndë për regjimin serb të kohës. Ky organizim i sistemit paralel të shkollës shqipe ishte dhe mbetet një prej organizimeve dhe qëndresave më madhështore dhe me përmasa pothuaj mitike që ka bërë një komb, i cili ndodhej në pragun ekzistencial të qenësisë etnike
Nexhat Buzuku
Arsimtarët prej vitesh po presin që të flasë ndërgjegjja e pushtetarëve, që ata të veprojnë drejt dhe të vlerësojnë punën e arsimtarëve në periudhën e okupimit të Kosovës 1990-1999. Ata, arsimtarët, i dhanë Kosovës së atëhershme dritën e rezistencës përmes qëndresës të quajtur shkollë, që Serbia nuk arriti ta shuante. Prandaj, kushdo që pretendon ta heshtë apo minimizojë e margjinalizojë sistemin e atëhershëm paralel të arsimit është në anën e kundërt të historisë dhe qëndresës e rezistencës së shkollës shqipe në vitet 1990-1999.
Arsimtarët kanë dy kërkesa:
E para, që për 9 vitet e punës në arsim nën okupim t’u paguhen pagat mujore të përmbledhura në total dhe t’u derdhen në xhirollogaritë e tyre bankare.
E dyta, që të gjithë mësimdhënësve, në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe këshillat e atëhershme të arsimit, të financimit dhe pronarët e shtëpive-shkolla të fitojnë statusin e veteranit arsimor në periudhë okupimi dhe lufte.
Statistikat flasin për afërsisht 14 mijë mësimdhënës të githa nivelesh. Shifrat me të dhënat e arsimtarëve dhe vitet e punës tashmë janë përgatitur. Pra listat janë gati, bazuar në regjistrin e punës së asaj periudhe, në ditarët e punës dhe librat amë në shkolla. Kështu që, këtu nuk ka probleme të listave, ka punuar apo s’ka punuar. Çdo gjë është e kristaltë, dhe nuk mund të futet në lista të veteranëve arsimtarë të periudhës së okupimit dhe të luftës askush që nuk ka qenë në mësimdhënie, sepse ekzistojnë shënimet për secilin.
Arsimtarët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën dhe historinë më të vështirë të Kosovës, duke arsimuar brezin e ri në kushte skajshmërisht të rëndë. Të ndjekur nga objektet shkollore, mësimi u mbajt në objekte të ndryshme, kryesisht në shtëpi-shkolla, nën frikën, pasigurinë, përcjelljen, kërcënimet, bisedat informative, burgosjet etj.
Sot mësimdhënësit pensionohen me 70 euro e ndokush me 150 euro, që mohon kontributin e kësaj kategorie, pra të kategorisë arsimore, por shkel edhe dinjitetin e tyre njerëzor e profesional.
Një profesor që doli në pension para pak ditësh tha: E përse paskam punuar, ofshante me arsye, që të jetojë si lypsar në pension. Ai kishte mbetur në pensionin prej 70 eurosh. Vërtet nënçmuese. Bile, tha, edhe i burgosur politik ka qenë por askush nuk i merr parasysh.
Arsimtarët bartën barrën më të rëndë e më të vështirë të asaj periudhe. Ata, me punën e tyre, ruajtën substancën kombëtare në Kosovë.
Funksionimi i sistemit paralel arsimor në atë kohë ndali shpërnguljen e të rinjve jashtë vendit, krijoi siguri dhe homogjenitet në popull dhe mobilizim gjithëpopullor për qëndresë ndaj okupimit.
Prandaj, puna përkushtuese titanike e mësimdhënësve duhet të vlerësohet me vepra dhe jo me fjalë.
Pushtetarët nuk duhet ta harrojnë këtë kontribut. Kuvendi i Kosovës duhet ta diskutojë në ndonjë seancë urgjente kërkesën e mësimdhënësve, që atyre të mos u njihet kontributi vetëm me falënderime, mirënjohje nëpër fjalime, por t’u plotësohen dy kërkesat e lartpërmendura. /2L ONLINE/