(Për vëllimin poetik Lulet e lotët e Kosovës të poetit francez, Jean-Yves Carlen)
Udhëtimi ynë shumëshekullorë, pa pushuar asnjëherë, ka gjakuar lirinë e mohuar. Nisma e shekullit që iku, na pati sjellë robëruesin e ri, ndërsa mesi i po atij shekulli, në vend të lirisë risolli robëruesin e mesjetar, po të veshur ndryshe. Robëri, që do të zgjasë deri në fundin e udhës që dukej pa krye. Mu atëherë, “simboli pavarësisë/ i priu popullit të tij drejt tokës së premtuar /dhe që si Mojsiu/ mbeti pa e shijuar”. Janë dy skaje të së natyrshmes që do t’u këndojë dhimbshëm Jean-Yves Carlen. E këtë kontrast veprimi e gjakimi sikur e ndjente vetë prijësi se “Të krijosh një vepër/ domethënë ta futësh/një botë në një botë”, që shpesh tjetërsohej për të marrë trajta tankesh rreth demonstruesve.
Shkruan: Sherafedin Kadriu
Për të përjetësuar artistikisht atë periudhë njohjeje e për ta ndjerë thellë shpirtërisht, Jean-Yves Carlen sjell veprën letrare “Lulet e lotët e Kosovës”. Mjafton titulli i veprës për të na rikthyer përmallshëm, herë trishtueshëm, edhe guximshëm, në vitet 90 të shekullit të pacifizmit, dhe ku? Në Ballkanin plot barot. Kontrast gjuhësor e fiktiv po se po, por kontrast filozofik e strategjik me patjetër!
Një filozofi e re kjo, jo për sprovë tërheqjeje, as bindjeje, sa për shpërfaqje të tjetrit. Pas saj rendin radhët pa mbarim, për të rrugëtuar nëpër “hijet e hirta që bënin patrullat vërdallë”, pak para orëve policore. Edhe në tilla kohë, jo befshëm, po urtësisht janë pirë kafe të zeza siç është e errëta para agimit, duke e përgjëruar Diellin: “Vonohu, mos dil/Mos merr ngjyrë të kuqe/Mos bëj që të derdhet gjak”. Jemi lutur ne, e nuk paskemi qenë të vetëm. Kemi ecur me patjetër, e na paskan shoqëruar miq. Jean-Yves Carlen, paska ndjerë si unë e ti, qenka dridhur si prindërit tanë “para qenve të cytur mbi tanët dëshmorë, për të jetësuar njëmijë ëndrra të historisë së vetme/a njëmijë histori në një ëndërr të vetme”.
Siç shkruan në parathënie të librit, Jean-Yves Carlen, Kosovën e ka takuar për herë të parë në vitin 1995, për t’u bërë i saj pa as edhe një hezitim, për ta ndihmuar e mbështetur si të ishte biri etnik i saj, ndërsa lidhja me Ibrahim Rugovën, ka një shkas dhe një shkak. Shkasi është të qenët frankofon e frankofil, ndërsa rruga e pacifizmit të prijësit, është shkaku. Vetë frymëzimi poetik ka këtë shkak burim. Duket se Jean-Yves Carlen herët ka filluar ta ndjekë rrugën e kundërshtisë pa dhunë, ta mbështesë rrugën e paqes të secilit njeri e të secilit komb. Prandaj, ky formësim e kushtëzim i autorit, nxjerrë nga konteksti kohor e letrar, ka shpërfaqur rezistencë pa dhunë në njërën anë dhe shtypje diktatoriale në anën tjetër. Aty janë emra të përveçëm e të përgjithshëm, antipodesh bardh e zi. Pa asnjë nuancë të ndërmjetme; sikundër qe përditshmëria jonë: me kombinate – pa punë, me shkolla – pa mësim në to, policë rrugëve – ne pa armë, në mes të Evropës – ne pa bukë. Revoltë pa dhunë, burgosje qëndrestare, pajtim o mik, që “të qeshim për të qeshur, të këndojmë për të kënduar, të jetojmë për të jetuar, t’ua dimë lezetin gjërave” thërret Jean-Yves Carlen, në ato ditë antitezash jete.
Poezitë, njëmend janë të pa titulluara, po i mbulon semantikisht kryetitulli: Lulet e lotët e Kosovës. Nuk e di nëse janë lule si të Borhesit, por jam i sigurt se Lulet e Jean Yves-it, bashkë me lotët e Kosovës kanë të përbashkëtën: shpërfaqjen e të bukurës nga e keqja.
Shprehjet ndonjëherë deklarative janë në funksion të figurshmërisë së pasur, sidomos shprehje metaforash, simbolesh e krahasimesh. Ndërsa, epiteti s’ka sesi të mos jetë figurë në këto poezi, sepse aty ku është Agani, si të mos jetë burrëria, aty ku është Anton Çetta, si të mos jetë urtësia, aty ku ishte Rugova, ishte vetë Mojsiu.
Pas luftës i pari e ka parë “muzgun e belbëzakes vjeshtë” në Llashticë të Gjilanit dhe kudo ku mërgimi i kthyer zbulonte katunde të shkretuara. Paslufta është liria! E, a ka njeri me Nj, aso të madhe, që nuk do të thërriste pastaj si Jean-Yves Carlen: “Çil lulëzo prapë o trëndafil në dheun e simes ide?”
Po, nuk përfundon me kaq, se paslufta kërkon të dalësh përtej traditash, urrejtjesh stërgjyshore e hasmërish, dhe ti natyrshëm do duhej të kërkosh falje, për të pritur një përgjigje. Nuk është e lehtë, megjithatë, “po të premtoj të mundshmen, do të të përgjigjem”, ka përfunduar poeti.
Nuk mund të mos thuhet edhe një fjalë për përkthyesin, Tahir Dalipin. Ai solli në shqipe “Lulet dhe lotët e Kosovës”, me ritmin e origjinalitetit dhe rimën e shfaqur natyrshëm, si dhe me mesazhin e pa koduar: pa dhunë për liri.
Duke i lexuar këto poezi, do ta takojmë fytyrën tonë të mërdhezur gjatë viteve 90, ose të trishtuar në mbarim po të atyre viteve, apo një fytyrë fëmijërore në fillimet e reja që nuk po vijnë, siç i kemi pritur. E për rrugën që zgjedhim të ecim, në është e duhura apo jo, varet se kur do të shkarkohemi nga e pakëndshmja (Cf. Max East-man). Diçka të këtillë sikur na sugjerojnë poezitë e vëllimit poetik “Lulet e lotët e Kosovës”, prandaj edhe vetëm për kaq, gëzohem që e njoha mikun e Kosovës, Jean Yves Carlen.