Familja Elezi nga Livoçi I Ulët – Gjilan, është një ndër gjeneratat e para te medicinës profesionale kosovare, që sot janë të njoftur me numër jashtëzakonisht të madh te mjekëve. Me rastin e pensionimit të brezit të parë shqiptar të motrave medicinale të komunës së Gjilanit përgjatë këtyre muajve, kjo familje ju dha përshëndetje falenderimi të përzemërt dhe emocionale për punën e tyre jetësore përmes mesazhit si më poshtë.
Mesazh respekti dhe mirënjohje
(Me rastin e pensionimit të gjeneratës së parë të infermierisë në Gjilan 1974/75)
Gjenerata e parë e motrave tona medicinale janë duke e përfunduar obligimin e tyre jetësor profesional përgjatë këtyre muajve. Erdhi koha e pensionimit të tyre. Erdhi koha që gjithsesi t’i japim një mirënjohje të përzemërt dhe të merituar, ne që patëm fatin t’i njohim dhe të vlerësojmë punën dhe shërbimin, mikëpritjen dhe ngrohtësinë, profesionalizmin dhe kujdesin, kurajon dhe mëshirimin e tyre. Kjo gjeneratë duhet të kujtohet dhe të vuloset në historinë e qytetit si gjenerata e parë profesionale shqiptare të një bekimi të madh për ne. Së bashku me mjekët tanë shqiptarë, edhe ashtu të pakët në atë kohë, ato ishin në mesin tonë aty ku merrej fryma e parë, dhe aty ku merrej fryma e fundit e jetës. Ishin ato, që duruan orë të gjata, lodhje dhe ankesa ndërsa qetësonin pacientët e frikësuar dhe të dashurit e shqetësuar. Ishin ato, që pothuajse çdo ditë u ballafaquan dhe pranuan me guxim sëmundjen, dhembjen, lotët, vuajtjen, ankthin, trishtimin, ngulfatjen, klithjen, dhe vdekjen; dhe ishin mu ato që dhanë veten dhe u përgjigjën me profesionalizëm, durim, kujdes, respekt, afërsi, qetësi, siguri. buzëqeshje, fjalë të ëmbëla, pastërti, dhe ndriqim. Kjo gjeneratë shpëtoi dhe rigjallëroi me mijëra jetë, sepse ato nuk e trajtuan vetëm sëmundjen, por edhe pacientin që e përvuajti atë. Ato, në të vërtetë janë heroina të bekuara të humanitetit.
Sot kemi me qindra ordinanca shëndetësore dhe spitale private, ku shërbejnë me mija infermierë dhe infermiere të gjeneratave të reja. Fatkeqësisht, në këto rrethana, kur po ballafaqohemi me epideminë e manisë së parasë dhe pushtetit, shërbimet e spitaleve publike janë zbehë dukshëm. Edhe pse me një teknologji në rritje, respekti, buzëqeshja, afërsia dhe tiparet tjera njerëzore janë shumë të rralla në krahasim me ato të gjeneratave të para të institucioneve shëndetësore. Sot, pacienti po trajtohet kryesisht si kuletë.
Besojmë, që në një të ardhme të afërt, në kulturën e shëndetësisë sonë prap do t’kthehet dhe do t’ngadhnjen humaniteti kundrejt parasë, dhe mëshirimi kundrejt korrupsionit, ashtu siç e praktikoi mu kjo gjeneratë e respektuar.
Prandaj, me krenari por edhe me përmallje, po e përshëndesim këtë gjeneratë të motrave, duke i falenderuar pafundësisht për ngrohtësin dhe sigurin shëndetësore të paharruar që na dhanë në zemrat tona. Edhe pse do t’na mungojnë mjaft shërbimet, buzëqeshjet dhe fjalët e dashura të tyre, i dëshirojmë një jetë të rehatshme plot shëndet përgjatë pensionit.
Jeni gjithmonë dhe kurdoherë të mirëseardhur në familjen tonë.
Nga Familja Elezi – Livoç i Ulët, Gjilan, 06 Tetor 2021
PS.
Lista e emrave te gjeneratës së parë te infermiereve te Gjilanit – viti shkollor 1974/75:
Xhemile Sadiku Ibrahimi, Lumnije Musliu Emërllahu, Zyrije Bllaca Hajrullahu, Sadete Abdullahu Demiri, Mevlyde Jonuzi Morina, Kadrije Osmani, Nedrete Imami Aliu, Belgizare Osmani Krasniqi, Adile Isaku, Shpresa Mustafa Latifi, Mejreme Shaqiri Bunjaku, Mejreme Emini Bislimi, Suzana Ismaili Matoshi, Zyrafete Mustafa Elezi, Ylbere Abazi Shaqiri, Emine Muji Jashari, Emine Haliti Ahmetaj, Shyhrete Jashari Rexhepi, Hazbije Mehmeti Keka, Ajete Neziri Rrahmani, Sahide Halimi Qerimi, Minivere Abdiu Islami, Hava Vrapçani Maqedonci, Makfire Hamiti Paqarada, Vahile Shabani, Hixhrete Krasniqi, Vahide Haziri Mrasoraj, Syzaije Azemi, Mejra Avdyli, Sevdije Selimi Kryeziu, Ramize Ismajli, Ylfete Ymeri, Fatmire Koshutova, Motrat e Ndjera që tani nuk janë në mesin e shoqeve, Muzafere Selmani Rexhepi, Shejzije Morina, Zyrije Bunjaku Gjinolli dhe Mihrije Kadriu Hasani.