Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjuar celularin e Kancelares Angela Merkel që prej vitit 2002, raporton “Der Spiegel”.
E përditshmja tregoi se arriti në këtë përfundim pasi arriti të zbulonte disa dokumente të fshehta nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA), të cilat tregojnë se numri i Merkelit ishte midis listës së përgjimeve që përpara se ajo të bëhej kancelare e shtetit.
Numri i saj mbetej në listën e mbikëqyrjes edhe në vitin 2013, kur ky skandal me përmasa ndërkombëtare u bë i njohur.
Ndërkohë, në Uashington u regjistruan gjatë së shtunës një seri protestash kundër programit të spiunimit të NSA-së.
Disa dhjetëra mijëra qytetarë marshuan drejt Senatit, duke kërkuar kufizimin e përgjimeve.
Disa prej tyre mbanin parulla në të cilat shprehej mbështetja për Edward Snowden, ish-punonjësin e NSA-së që bëri të njohur për botën programin e përgjimeve, transmeton TCH.
Aktualisht, Snowden ndodhet i strehuar politikisht në Rusi, ku po i fshihet përndjekjes nga drejtësia amerikane që e akuzon për spiunazh.
Raportimi i “Der Spiegel” vjen në një moment të tensionuar të raporteve midis SHBA-së dhe aleatëve të saj europianë e amerikanojugorë, me Gjermaninë dhe Brazilin që po përgatisin aktualisht një rezolutë në OKB për garantimin e privacisë elektronike