Meremetimi i Varrezave të Dëshmorëve në Viti zbuloi mosrepektin moral e historik ndaj gjakut të dëshmorëve dhe duart e zeza të farës së keqe njerëzore rreth nesh. Pra, tani më u pa se dëshmorët e lirisë u vranë edhe një herë më shumë!
Shkruan: Gani NEZIRI
U vranë së pari herë në altarin e lirisë ballë për ballë me armikun serb për lirinë e Atdheut. Për lirinë tonë, për lirinë e rritjes së fëmijëve tanë pa brenga dhe për lirinë e gjeneratave që vijnë.
Së dyti u vranë për së vdekuri nga një shtresë e keqe shqiptarësh “legen” që nënçmuan luftën e tyre veç pse nuk guxuan të ishin aty ku do të duhej të ishin, (bashk me ata).
Së treti u vranë nga shokët e tyre të rrejshëm e disa politikanë mashtrues që përpiqen të marrin nga pak vlerë nga vlera e tyre duke u paraqitur tani si bashkëveprimtarë të tyre ilegal.
Për të katrën herë u vranë kur edhe në tenderët e rregullimit të varrezave të tyre u vodhën mjete financiare nga planifikuesit, ndërtuesit, mbikëqyrësit, pranuesit teknik, deri edhe ndërmjetësuesit e tyre.
U vranë për të pestën herë nga ata që shkojnë veçse në përvjetorët e rënies së tyre veç sa për t’u dukur aty politikisht por, pa ndjerë krenarinë dhe respektin real për ta.
Tani në fund, heqja e pllakave për një meremetim të ri të varrezave zbuloi edhe vrasjen e gjashtë të dëshmorëve të lirisë nga dora e keqe e atyre që “rregulluan” varrezat e tyre “shkel e shko”, veç sa për të marrë mëditjet e punës. Dhe për më keq, duke hedhur dhe mbuluar mbeturina brenda varrit të tyre.
Shqetësim i drejtë kuptueshëm shpirtëror i nënave dhe i nuseve të dëshmorëve të lirisë, i motrave dhe i vëllezërve të tyre. Shqetësim edhe i bashkëluftëtarëve gjithsesi.
Do të mbetet plagë e përhershme jetësore në shpirtin dhe mendjen e fëmijëve të dëshmorëve se; kush mund të ishte ai njeri që brenda varrit të dëshmorit hedhë mbeturina dhe i mbulon ato?!
Pas gjithë kësaj, po shpresoj se hetuesit e instancave relevante të shtetit do të merren me hetimin e rastit dhe do të japin dënimin e merituar. Kjo do të jetë njëkohësisht edhe ndëshkim moral i gjithë atyre që bëjnë veprime të ngjashme.