(2L ONLINE) – Me iniciativën e Odës Ekonomike Amerikane është nënshkruar sot memorandumi i mirëkuptimit mes Komunës së Gjilanit dhe disa bizneseve për themelimin e Këshillit iniciues për të thelluar bashkëpunimin në kanal zyrtar.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik Ismail Januzi i cili në emër të kryetarit Lutfi Haziri e ka nënshkruar këtë memorandum, ka falënderuar Odën Ekonomike Amerikane për këtë iniciativë, duke thënë se kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik lokal.
“Në emër të kryetarit Haziri ju konfirmoj që sot në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane kemi nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit që është si bashkëpunim i ndërsjellë mes Komunës dhe Komunitetit të biznesit. Qëllimi i këtij memorandumi është që të krijohet një këshill konsultativ ne mes të Komunës së Gjilanit dhe komunitetit të biznesit për zhvillimin ekonomik lokal. Falënderoj për iniciativën dhe bashkëpunimin Odën Ekonomike Amerikane dhe komunitetin e biznesit që sot firmosëm këtë memorandum të përkohshëm deri të zgjidhen organet e reja në të ardhmen”, ka thënë drejtori i DZHE-së, Ismail Januzi.
Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se ideja e Këshillit ka qenë që të krijojmë kanale zyrtare të komunikimit dhe përmes kësaj mund të ngriten, të trajtohen dhe të zgjidhen problemet e bizneseve gjilanase.
“Qëllimi i këshillit është që të bëjë bashkë zyrtarët e administratës komunale të Gjilan dhe komunitetit të biznesit. Ideja ka qenë që të krijojmë kanale zyrtare të komunikimit dhe përmes kësaj mund të ngriten, të trajtohen dhe të zgjidhen problemet e tyre, qofshin ato që lidhen me aspekte të administratës komunale siç mund të jenë ndoshta lejet, mallrat e ndryshme përkatëse ose çështjet e tjera infrastrukturore që janë të rëndësishme për biznesin.
Në këtë këshill iniciues janë disa kompani gjilanase dhe listës priten t’i shtohen edhe shumë biznese të tjera. /2L ONLINE/