Në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe në Ferizaj, u. d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dolën për ti përcjellë nga afër zyrtarët policorë dhe inspektorët sanitarë, të cilët sipas detyrës zyrtare po realizonin veprimet e përbashkëta në ndërmarrjen e masave ndaj pandemisë COVID-19.
Ministri Zemaj dhe u. d. Mehmeti, qëndruan për disa orë së bashku me zyrtarët policorë dhe inspektorët, të cilët me përkushtim kryenin detyrat e caktuara, përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj mos zbatuesve të masave ndaj pandemisë, thuhet në raportin e policisë.
Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të përhapjes së pandemisë, Ministri Zemaj dhe u. d. drejtori Mehmeti kërkuan që të vazhdohet me ndërmarrjen e masave të menjëhershme ndaj të gjithë shkelësve të vendimeve dhe masave që lidhen me COVID-19, ç’do herë duke u bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Njëkohësisht Policia e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë vazhdojnë të kërkojnë nga qytetarët që të respektojnë dhe njëherit zbatojnë vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë, sepse vetëm duke zbatuar masat e parapara mund të ndikohet në parandalimin e përhapjes së pandemisë, e që është në interes të shëndetit publik., thuhet në raportin e policisë.