Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mehaj ka shkruar se ka falënderuar homologun e tij turk për rolin dhe kontributin e madh të Turqisë në zhvillimin e FSK-së.
Postimi i plotë i Mehajt:
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, sot u prita në takim të veçantë nga homologu im dhe nikoqiri, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.
Me këtë rast, isha edhe i nderuar dhe privilegjuar nga ministri Akar për takimin e parë të tij me mua, në ciklin e takimeve të planifikuara të tij me ministrat dhe shefat e mbrojtjes së vendeve pjesëmarrëse në panairin “IDEF’21”.
Në takim diskutuam bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes. Me këtë rast, ministrit Akar i shpreha falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura të Turqisë në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.