Monizmi politik në të gjithë vendet ose shtetet ku ka qenë i instaluar është treguar si sistem jo i mirë dhe i dështuar për qytetarët e atyre vendeve. Në një sistem të tillë politik një partiak, udhëheqja nuk zgjidhet, por paracaktohet gjë që mundësia e manipulimit dhe nepotizmit është prezente pasi që zgjedhja e lirë dhe konkurrenca nuk ekziston. Në to mungon shteti i të drejtës por vepron shteti i të fortit.
SHkruan: Bekim SELISHTA
Nëse i marrim parasysh vendet si Venezuela, Kina, Koreja, Irani, Rusia, disa vende arabe, shumica e vendeve afrikane, nuk iu japin mundësi të gjithëve as për t’u bërë pjesë e pushtetit as për avancim në pozita udhëheqëse. Në vende të tilla, politikanë, pushtetarë dhe trashëgimtarët e tyre kryesisht i zotërojnë pasurit e shumta shtetërore, derisa shumica e popullatës jetojnë jetë mesatare dhe në varfëri, e deri në një jetë sa për ekzistencë.
Nëpër vende të tilla, udhëheqësi suprem ka kontroll të plotë mbi gjithçka, edhe mbi ushtrinë, policinë, gjyqësinë… ku drejtuesit e këtyre institucioneve, sidomos ato të drejtësisë, nuk punojnë të pavarur por vetëm janë zbatues të urdhrave. Po ashtu nuk ka zhvillim normal të ekonomisë aty ku kontrolli është në duart e të fortit.
-Demokracia ndoshta nuk është sistemi më i mirë politik, por nuk ka pas deri tash diçka më të mirë!-
Në anën tjetër, Demokracia si një sistem politik, si një formë e qeverisjes, iu jep mundësi njerëzve ta ushtrojnë të drejtën e tyre në një formë apo tjetër. Iu mundëson atyre të bëjnë zgjedhje të lirë. Po ashtu iu mundëson qytetarëve të hyjnë në gara zgjedhore apo lirshëm në një konkurrencë të lirë të japin verdiktin e tyre për të zgjedhur dikë që është në garë. Në sistem të tillë ka pluralizëm dhe iu mundësohet njerëzve të kenë më shumë se një zgjedhje, të kenë më shumë oferta dhe të përcaktohen për ofertën më të mirë që ata e mendojnë, me vullnet të lirë e varësisht prej preferencave e vlerësimeve personale.
Po ashtu në sisteme të tilla, janë predispozitat që të zhvillohet ekonomia e lirë, të mos ketë barriera politike, të ketë sistem të drejtësisë të pavarur, polici e ushtri që veprojnë në bazë të ligjit. Në vende të tilla ku demokracia nuk është teorik por zbatohet në praktikë, pushteti i shërben qytetarit.