Sherafedin KADRIU
MEDITIM PËR POEZINË E VALLES
(Me rastin e promovimit të vëllimit poetik “Vallja e ringjalljes”, të poetes Nazmije Xhaferi-Hasani, Printing press, Prishtinë, 2023).
Poetika dhe realiteti bashkëjetojnë thjesht si dy të dashuruar marrëzisht mes vete. Kur shpërfaqet kompleksiteti i realitetit, atëherë poetika vepron me thjeshtësinë e saj, që ne të shijojmë të bukurën e artit, jo artin. E bukura e artit, thjesht lexohet dhe shijohet, edhe në vargjet e kësaj përmbledhje.
Dhurata është dhënë njëherë dhe ajo mund të japë rezultate të dëshirueshme vetëm nëse punon. Një dëshmi e sigurt është kjo përmbledhje poetike që është e pesta me radhë e poetes Nazmije Xhaferi-Hasani. Kohë e mirë për pesë vepra. Pas pensionimit. Raritet gjithsesi!
Poezia e Nazmijes ka kuptimin e saj, atë kuptimin magjik, i cili ndërtohet nga përdorimi i fjalës së duhur, se poezia është fjalë, se fjala është figurë, se figura është mjeshtri … Jo rëndomtë lidhen fjalët mes vete se strukturimi është çrëndomtësi!
Dhjetë cikleve u prin motivi i kurbetit. Motivi i asaj plage që le s’u shëndosh, po as nuk u përtha, por po qelbet për ditë e më shumë, aq sa:
Llava përcëlluese kalon shtete e kontinente,
Dete e oqeane të paanë; derdhet në gjirin e nënës…
“As t’ kërrusur s’arritën të kthehen”
Nganjëherë, edhe hiperbola është e vogël para realitetit, realitetit të fakteve. Ajo vjen e ngushtohet edhe imagjinativisht para familjes Jashari, kur Liria në tym e flakë:
I frymëzoi për Dardani jeta t’mos u dhimbset,
Burra, gra e fëmijë, në kulla baroti të digjen.
“Tym e flakë”
Dhe, lexuesi ndjen bashkë me poeten për lirinë e vrarë që erdhi rrugëve të gjakut. Natyrshëm që etnikumi ynë u përflak në tre muaj të vitit, sa të dhimbshëm , aq krenarë: në Nëntor të Gjergjit, në Janar të përflakur dhe në Marsin e Ademit:
Nëntorët tanë
Nëntorë lirie,
Bëmat e Gjergjit
I mbajtën gjallë.
Shembull i mirë
Se ç’sjell bashkimi
E ç’zjarrë ndez
Liri e vrarë.
“Rrugëtimi i nëntorëve”
Tematikë e strukturuar artistikisht
Poezitë vijnë me tematikë të ndryshme e semantikë të strukturuar artistikisht, zakonisht rrëfehen nëpërmjet trajtës lirike, me një ritëm që vjen e shpejtohet për shkak të strofëzimit. Është e vërtetë, që poetja nuk e angazhon në kuptimin intelektual poetikën sepse asaj i intereson dukuria. Ajo e di se lexuesit nuk i duhet e vërteta e fakteve, por e vërteta e ëndrrës (sipas Borhesit), ndryshe thënë, realiteti i imagjinatës. Realitet ky, që i tejkalon dituritë që edhe ashtu janë të pakta në krahasim me imagjinatën. Imagjinata ku nuk shkon, para çdo mendimi të shpejtuar.
E imagjinata e poetes është bota e saj krijuese me një ndjesi të hollë të ndikuar nga motive të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme. Pastaj, ndjesia e derdhur në varg shkrihet në tërësinë e fjalorit të pasur e komunikues me lexuesin e vet. Qe, gjyshi-stërgjysh Musë Tomaku, i urti i Anamoravës, ia zgjon krenarinë e fjetur, jo rastësisht:
U përvëlova në dashurinë që i fale tim eti
Dhe në rrëfimet që shpërthejnë hovet
Sonte muza ime do t’i lë dy rreshta për ty
Bashkë me foton e vetme nga Qyteti i Zi
Më ke ardhur si në legjendë
Rritur si nip e bir pleqnari
“Emri yt rron me bëmat tua”
Vargëzimi tërësor i kësaj përmbledhjeje poetike di të përshkruajë situata e personazhe historike e më shpesh familjare. Një përsëritje është e pranuar, jo për të mësuar, po për të kujtuar, për të kujtuar mënyrën e ndërtimit edhe të ngrehinës poetike. Qe, aty është baba përparimtar, aty është nëna me ngrohtësinë e saj, aty është motra që ikën para kohe e nuk kthehet as si engjëlli i saj.
Interpretimi stilistik i kësaj vepre nënkupton faktin që duhet pasur në konsideratë rolin estetik dhe kuptimor të vargjeve, si në rastin kur i drejtohet babës së sëmurë:
Përpije dhimbjet e ofshamat
Që ta kishin tëhujsuar gjumin
“Kaf’ja e mëngjesit”
Në po këtë poezi, autorja duket se ka shkrirë imagjinatën poetike. Babës që pjek kafenë për bijën e tij, në një periudhë kohore kur partriarkalizmi rëndonte rëndë mbi kurrizin e femrës, si të mos ia dhurosh dy vargje kushtimi:
Sa t’mira i bëje!
I piqje me prushin e dashurisë
Kishin marrë shijen e fjalës tënde
Shijen e tim eti…
Babë,
Kafe pi edhe sot.
Po, asnjë shijen e kafes tënde,
Nuk e ka dot.
“Kaf’ja e mëngjesit”
Poetja me të drejtë edhe nuk është e kënaqur me çfarë ofron jeta, se jeta di të jetë dhimbje, njëmend që arti di ta bëjë dhimbjen të këndshme, po mu atëherë emocioni nuk përmbahet. Dialogon si motra me motrën, e cila ka një përgjigje të tipit të pyetjes retorike, që natyrshëm do ta bënte çdo nënë që ikën para kohe:
Një engjëll të zgjodhi për shoqe,
Ti i rende pas fluturim.
Në amshim çerdhe ndërtove,
Ç’ke që shikon me përmallim?
Prapa lash zogjtë e vegjël,
Për të cilët ndjej shumë mall.
Do t’munden vallë të gjenden,
Labirinteve që jeta iu fal!?
“Peng na e le dhembshurinë”
Dihet, poetët janë disi krijesa gati jo të rëndomta, nuk kënaqen me të zakonshmen. Edhe poetja jonë, Nazmija, kërkon më shumë. Më shumë për krijesën hyjnore, atë të bukurën. Ajo nuk ka krijuar antinomi, për krijesën tjetër, atë të pashmen. Prandaj, me të drejtë i drejtohet gjinisë së saj:
Bekimi yt emrin e ka jetë.
Dhuratë më të mirë
As ka, as mund të ketë.
“Krijesë hyjnore”
“Vallja e ringjalljes” është më shumë se fundvjeshte, se uji i bekuar, e dielli që huazon mirësi e ngrohtësi, se shiu që kthen freskinë kur zjarrmia përcëllon, derisa”
Kundërshtarja e ditës,
Perde i vë dritës.
Me magjinë që përsërit,
Gjysmës së globit i kot sytë
“Nata”
Përjetësia e dashurisë
Autorja ka zgjedhur t’i këndojë përjetësisë jo si cikël, po si dashuri që jepet për më të dashurit, fëmijët, nipat e mbesat. Dhe duket se poetja fal dashuri, pa kërkuar asgjë në këmbim. Ajo e di se:
Sa më shumë të japësh dashuri,
Më i pasur do jesh.
Do i bësh të lumtur tjerët,
Lumturi do gjesh.
“Dashuria”
Të vetmin këmbim që do të donte si ndërmjetësim, do të ishte lumturia e tyre. E ata duhet të dinë bile kaq, se “Jeta është luftë e shpresë” se “Jeta është këngë e lot”, se “Partiturë e artit të jetës” është përballja në Galaktikën shkëlqyese plot yje…me emra të përveçëm: Dritani, Arbenita, Leka, Ari, Harpa, Nieda …
Demaskim edhe artistik
Nganjëherë, në varg shfaqet ajo akuza e tipit invektio oratio, kur demaskon sidomos fenomene të kohësisë sonë, dhe me të drejtë sipas saj. Një fenomen i së keqes është koncepti politik i Open Ballkan, me të cilin nuk pajtohet autorja assesi. Tani, nuk pajtohet për shkak të analizave që i ka bërë e i thonë që është gabim rruga e nisur, apo për shkak të emrit të propozuesit, a të partisë, kjo çështje mbetet pronë e poetes. Duke qenë e pakënaqur ndonjëherë nuk lë rrugë të ndërmjetme për të dalë besueshëm nga e keqja. E keqja në këtë rast vjen si rezultat i “egos së infektuar”. Ndërsa, në vargun poetik del si kuptim logjik i limituar në skajshmëri që estetikisht përpëlitet për ta gjetur shkakun e kotësisë së angazhimeve donkishoteske, prandaj fton e urdhëron:
Tym,
Mjaft na u ende mbi kokë!
Lëshoja rrugën diellit
Shpirtin të na e kthjellojë!
Na hiq nga sytë, tisin e mallkuar!
Të shohim përtej hunde
Të egos së infektuar.
Formësimi tematik
Poezitë e këtij vëllimi poetik, ato që janë më të gjata, ndonjëherë sikur i prekën deklarativizmi, me një përfundim këshillash dhe urimesh nga zemra e nënës a gjyshes, natyrshëm pse autorja ka përvojën e viteve si nënë, si gjyshe dhe gjithsesi edhe si profesoreshë e gjuhës shqipe. E rritur me poezitë e rilindësve, del e ndikuar nga formësimi, ndonjëherë edhe tematik…
Në fund do të thoshim se zbulimi i funksionit estetik të vargjeve bëhet duke vënë re largimin nga përdorimi i zakonshëm gjuhësor, si dhe nëpërmjet figurash mendimi, të cilat i gjen në poezitë më të shkurtra, si:
Ndër mijëvjeçarë
Identifikoje Arbërinë.
Ti dhe pushka
Miq në stuhi e shtrëngatë.
“Plisi”
Krejt në fund konstatojmë se përgjithësisht poezitë janë multidimensionale … për jetën njerëzore, më drejtë thënë jetën personale që e rikrijon si kolektive në të shumtën e herëve. Dhe ja, aty është gëzimi, aty është hareja, aty është edhe lumturia.
Po, prandaj, vijnë veprat njëra pas tjetrës… /2LONLINE/